info@hibrid.info
Nuk ka vendim zyrtar për zgjedhjen e Richard Grenell në ndonjë post në SHBA
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull me deklaratë të Richard Grenellit, ish-përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, në titullin e të cilit pretendohet se Grenell po ashtu, është zgjedhur si numri 2 në SHBA.

Teksti me titullin “Richard Grenell zgjidhet numri 2 në SHBA: Janë bërë hapa të rëndësishëm në tërheqjen e Serbisë nga ndikimi i Rusisë” është publikuar sot (10 korrik) në portalin e televizionit “ntv.al”, faqja e të cilit në Facebook numëron më se 170 mijë ndjekës (shih këtu).

Por, hibrid.info ka gjetur se nuk ka vendim zyrtar që e bën me ndonjë pozitë Grenellin, në administratën amerikane.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “ntv.al”:

https://archive.is/sg97K


Në përmbajtje i janë referuar deklaratave të ish-ambasadorit Grenell, në një shkrim në gazetën britanike “Financial Times” (shih këtu).

Ndryshe nga titulli, hibrid.info ka gjetur se përmbajtja e artikullit të publikuar në “ntv.al”, nuk jep informacione që tregojnë për marrjen e ndonjë posti nga Grenell në SHBA, përveç pjesës ku tregohet se ai është konsiderohet si sekretar i mundshëm i shtetit nëse Donald Trumpi fiton një mandat të dytë për të udhëhequr Shtëpinë e Bardhë. Çka tregon për mos përputhje të informacioneve që jepen në titull dhe në përmbajtje.

Pjesë nga përmbajtja e artikullit:

Richard Grenell, diplomati kontravers që shërbeu si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun ndërmjes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, konsideroi për “Financial Times” se kanë ndërmarrë “hapa të rëndësishëm” në tërheqjen e Serbisë nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës.

“Unë besoj se kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në tërheqjen e Serbisë nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës ne menyre qe te jete më afër SHBA-së. E pranoj gjithashtu se duhet bërë më shumë dhe jam i përkushtuar te bëj pikërisht këtë” – theksoi Grenelli, i cili është konsideruar si sekretar i mundshëm i shtetit nëse Donald Trumpi fiton një mandat të dytë për të udhëhequr Shtëpinë e Bardhë.


Kërkimet e hibrid.info kanë gjetur përmbajtjen e njëjtë identike të këtij artikulli informativ, të publikuar dje (9 qershor) në mediumin “albanianpost.com”, por me titull ndryshe “Grenell: Janë bërë hapa të rëndësishëm në tërheqjen e Serbisë nga ndikimi i Rusisë”. Lajmi i publikuar në “albanianpost.com” e ka të publikuar edhe emrin e autorit të këtij tekstit (shih këtu).

Për të vërtetuar se Grenell nuk është emëruar në ndonjë detyrë në institucione në SHBA, hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, ku në bazë të rezultateve të shfaqura, nuk konfirmohet pretendimi i paraqitur në titullin e përmbajtjes së trajtuar. (këtu)

Po ashtu, nisur edhe nga fakti se Richard Grenell njihet si politikan që mban lidhje të ngushta me ish-presidentin Donald Trump, hibrid.info ka shtuar informacionin se zgjedhjet presidenciale në SHBA, për të cilat ka kandiduar edhe Trump, do të mbahen më 5 nëntor të këtij viti, çka do të thotë se ardhmja politike e Grenell, mund të varet nga rezultati i këtyre zgjedhjeve (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi i titullit të një artikulli që thotë se ish-ambasadori në administratën e presidentit Trump në SHBA, Richard Grenell është zgjedhur si numri 2 në SHBA, është i pa saktë.

Hibrid.info ka gjetur se përmbajtja e artikullit të trajtuar dhe kërkimet në burimet e besueshme, nuk e konfirmojnë pretendimin.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clikbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »