Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një fotografie pretendohet se shtëpia që shfaqet në të i përket ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe se e njëjta kap vlerën prej 1.2 milionë euro.
“Ekskluzive: Kjo është shtëpia e Liburn Aliut në Marigona Hill në vlerë prej 1.2 milion euro”, mban mbishkrimin kjo përmbajtje e publikuar në median sociale TikTok nga llogaria “xixa.05” me datë 8 shtator.
Çka gjeti hibrid.info?
Pas hulumtimit, hibrid.info gjeti se fotografia e kësaj shtëpia gjendet në platformën online për shitblerje “merrjep.com”.
Në përshkrimin e kësaj shtëpie nuk shfaqet çmimi dhe se e njëjta është në shitje nga një agjenci për patundshmëri.
Po ashtu në dokumentin e deklarimit të pasurisë së Liburn Aliut, nuk figuron shtëpi në lagjen Marigona Hill në vlerë prej 1.2 milionë euro.
Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “xixa.05”:
Pas hulumtimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka gjetur se e njëjta fotografi e kësaj shtëpie figuron në shitje në platformën online për shitblerje “merrjep.com”, që nga viti 2015. (shih këtu)
Hibrid.info ka gjetur edhe dokumentin e deklarimit të pasurisë të Liburn Aliut, të publikuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit”. (shih këtu)
Në këtë dokument, Aliu ka deklaruar dy banesa në lagjen Marigona Hill. Por, duke u bazuar në këtë dokument, hibrid.info nuk ka gjetur të deklaruar shtëpi në këtë lagje që kap vlerën 1.2 milionë euro, siç pretendohet nga llogaria e lartcekur në TikTok. (shih fotografinë më poshtë)
Analiza:
Përmes një fotografie në të cilën paraqitet një shtëpi, pretendohet se e njëjta është në pronësi të Liburn Aliut dhe se ka vlerën 1.2 milionë euro.
Pas verifikimit të fakteve, kjo fotografi është gjetur e publikuar në platformën online për shitblerje “merrjep.com” dhe në të nuk paraqitet vlera e saj.
Ndërsa në dokumentin e deklarimit të pasurisë të Liburn Aliut, të publikuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit”, ministri ka deklaruar dy banesa në këtë lagje. Pra, duke u bazuar në këtë dokument, shihet se Aliu nuk ka deklaruar shtëpi në vlerë 1.2 milionë euro.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.