Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një përmbajtje me anë të së cilës pretendohet se ju ofrohet mundësi për kredi edhe nëse jeni në listën e zezë të borxhlinjve. Në mbishkrim po ashtu pretendohet se mund të aplikohet online, vetëm me kartë identiteti.
Pretendimi është shpërndarë dje (8 prill), me anë të një postimi të sponsorizuar në Facebook, ku shfaqet një imazh i bankës Raiffeisen, me një link të integruar, nga një faqe me emrin “Service333”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se kjo faqe nuk ofron kredinë që pretendon dhe se ofrimi i një mundësie të tillë, është i paligjshëm.

Hibrid.info ka gjetur se pas klikimit të vegëzës së përfshirë në imazhin e publikuar, ueb-faqes së shfaqur i mungon emri i institucionit që ofron mundësinë e pretenduar. Në dritaren e hapur paraqiten seksione të cilat po t’i klikoni, hapin një faqe që përmban vegëzat e disa institucioneve financiare (“noafin.al”, “kredo.al” dhe “iute.al”) nga Shqipëria.


Të tre institucionet e paraqitura janë të deklaruara si subjekte financiare jobanka, të licensuara nga Banka e Shqipërisë (shih këtu).
Kredibiliteti i domeinit të kësaj ueb-faqe është verifikuar përmes platformës që vlerëson besueshmërinë e faqeve, “Scam-detector.com”, ku tregohet se ueb-faqja e kontrolluar ka besueshmëri të ulët dhe mund të jetë mashtrim (shih këtu).
Po ashtu, hibrid.info ka kontrolluar edhe faqen e cila ka publikuar pretendimin, në kohështrirjen e së cilës është vërejtur se nuk ka asnjë postim (këtu).
Të dhënat tregojnë se kjo faqe është hapur ditën e djeshme (8 prill).

Duke qenë se kemi të bëjmë me institucione financiare të cilat veprojnë në Shqipëri, hibrid.info ka hulumtuar më shumë për këtë çështje dhe ka gjetur raportime të vitit të kaluar, ku tregohet se Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore, që përfshin krijimin e një listë e zezë për kreditorët që ndalohen të marrin kredi (shih këtu dhe këtu).
Që do të thotë se dhënia e kredisë për personat në listën e zezë, është e paligjshme.
Analiza
Pretendimi se ofrohet mundësi kredie edhe nëse jeni në listën e zezë të borxhlinjve në Shqipëri, nuk qëndron.
Për publikuesin e këtij pretendimi nuk ka shumë të dhëna, ueb-faqja me anë të cilës ofrohet mundësia për aplikim, dërgon në institucione legale financiare në Shqipëri dhe është e dyshimtë. Ndërsa kreditë për borxhlinjtë që janë në listen e zezë, janë të paligjshme.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.