Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen përmbajtje që pretendojnë se partitë opozitare në Kosovë, janë kundër rritjes së pagave dhe do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, vendimin qeveritar që rrit pagat.
Pretendimi është paraqitur me anë të dy fotografive të publikuara në Facebook, nga një llogari me emrin “Lule Gjeli”.
Fotografia e parë përmban mbishkrimin: LDK: “nuk do te lejojmë rritjen e pagave. Do ta dërgojme në Kushtetuese. Pagat janë mjaft të mëdha. Shqiptarët nuk kanë nevojë për paga.”
Ndërsa në të dytën pretendohet se “Opozita LDK, PDK dhe AAK dalin kunder rritjes se pagave . Angazhojne avokate qe ta parandalojne rritjen e pagave dhe shtesave per femije”. Por, hulumtimet e hibrid.info kanë gjetur se nuk ka paralajmërime apo njoftime nga opozita se do ta dërgojnë ne Kushtetuese këtë vendim.
Duke hulumtuar për këtë pretendimin në motorin online të kërkimit, “Google”, hibrid .info ka gjetur disa artikuj informativë të publikuar nga disa media në gjuhën shqipe, që paralajmërohet si mundësi dërgimi në Gjykatën Kushtetuese, vendimi i kryeministrit Albin Kurti për rritje pagash nga janari, përkatësisht korriku.
Në këto artikuj nuk saktësohet se një gjë e tillë do të ndodhë nga opozita (shih këtu dhe këtu).
Hibrid.info ka gjetur po ashtu, se dy nga partitë opozitare kanë paralajmëruar rritje të pagave në sektorin publik, në rast se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të 2025, do të jenë në krye të qeverisë (shih këtu dhe këtu).
Hulumtimi më i thellë nga hibrid.info ka gjetur se Ligji i Pagave ishte dërguar në Kushtetuese, nga avokati i popullit, pas ankesave të shumta të dërguara në adresë të këtij institucioni (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Pretendimi se opozita do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për rritje të pagave, është i pasaktë.
Në deklarimet e deri më tashme, zyrtarët opozitarë nuk ka paralajmëruar një hap të tillë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.