Faqja në Facebook “Live News” ka publikuar sot (7 mars) një artikull me titull ““Qëndroni në gatishmëri…”/ Jepet ALARMI për përmbytje, ja zonat dhe qytetet që rrezikohen”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli ka të bëjë me parashikimin e motit në Shqipëri dhe se i njëjti është i vjetër.
Pra, faqja në fjalë ka publikuar një artikull për parashikimin e motit të datës 26 tetor të vitit të kaluar, të cilin e ka paraqitur si aktual.
Vegëza e artikullit të publikuar nga faqja “Live News”në Facebook:
Hibrid.info gjatë kërkimeve në internet, ka gjetur artikullin origjinal për parashikimin e motit të publikuar nga portali informativ në Shqipëri “gazeta-shqip.com” me datë 26 tetor 2023. (shih këtu)
Gjithashtu është gjetur edhe njoftimi zyrtar për media nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile të Shqipërise, të asaj periudhe që vërteton faktin se ky parashikim ka qenë për tetorin e vitit të kaluar. (shih këtu)
Ndërsa, për të vërtetuar edhe më tej faktin se ky lajm është i vjetër, hibrid.info ka gjetur edhe parashikimin e motit për këtë javë në faqen zyrtare të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak të publikuar në Facebook. Në njoftimin nga SHMU thuhet se do të ketë kushte atmosferike të paqëndrueshme, ndërsa lajmërohet që do të ketë rreshje shiu me intensitet të ulët por në asnjë moment nuk paralajmërohet për përmbytje. (shih këtu)
Analiza:
Një faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, duke përdorur një artikull të vjetër për parashikimin e motit në Shqipëri, e ka publikuar atë si aktual duke paralajmëruar për përmbytje në disa zona të Shqipërisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë artikull e vlerëson si “Clickbait” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.