Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh që paraqet një status në Facebook, të aktivistit Rron Gjinovci, ku shkruan “Miq slloven, pergatituni me hupe thelle”, të cilit ia ka bashkangjitur edhe emotikonin e flamurit serb.
Përmbajtja që pretendon se Gjinovci ka shkruar para përballjes së Euro 2024 ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë, është publikuar dje (20 qershor) nga një faqe në Facebook me emrin “Prishtina”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se ky imazh është i manipuluar dhe nuk paraqet atë që Gjinovci ka shkruar në të vërtetë.
Vegëza e imazhit të publikuar në Facebook nga faqja “Prishtina’:
Hibrid.info ka hulumtuar në llogarinë e aktivistit Gjinovci në Facebook, për publikimet e ditëve të fundit. Pas kontrollit është gjetur se me 19 qershor, Gjinovci ka shkruar një status në Facebook, që thotë “Miq, përgatituni me hupë thellë”, bashkë me emotikonin që paraqet flamurin kroat.
Pra, me anë të këtij komenti, ai ka shprehur përkrahjen e tij për kombëtaren kroate para ndeshjes me kombëtaren shqiptare (shih këtu)
Që do të thotë se në imazhin e mësipërm, është paraqitur përmbajtje në të cilën ka ndërhyrje, çka i jep kuptim tjetër asaj që realisht Gjinovci ka shkruar.
Shih fotografitë krahasuese:
Analiza:
Pretendimi se aktivisti Rron Gjinovci ka shprehur mbështetje për kombëtaren serbe para ballafaqimit me Slloveninë në Euro 2024, është i pa vërtetë.
Imazhi që tregon statusin e Gjinovcit me këtë pretendim, është i manipuluar. Aktivisti, në fakt me të njëjtat fjalë në Facebook, ka treguar se do ta përkrahë Kroacinë në ndeshjen kundër kombëtares shqiptare, në Euro 2024.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve” dhe “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.