Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një imazhi pretendohet se Turqia do t’i dhurojë Kosovës helikopter.
Ky imazh u publikua sot (5 shtator) në TikTok nga llogaria “cr7shqip”. Në këtë imazh shihen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan. Në sfond të këtyre dy figurave politike shfaqet edhe një helikopter.
Cila është e vërteta rreth këtij pretendimi?
Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi është i montuar dhe se nuk ka asnjë informacion të publikuar në burime kredibile, që dëshmon se Turqia do t’i dhurojë helikopter Kosovës.
Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “cr7shqip”:
https://www.tiktok.com/@cr7shqip/photo/7410929328067857696

Pas hulumtimit përmes programit të automatizuar InVID, hibrid.info ka gjetur fotografinë në të cilën shihet helikopteri i njëjtë që shfaqet edhe në postimin e bërë nga llogaria e lartcekur. Fotografia është gjetur e publikuar në një artikull të vitit 2019. (shih këtu)

Ndërsa fotografia që shfaq kryeministrin e Kosovës dhe ministrin e Jashtëm Turk, është shkrepur në maj të këtij viti, atëkohë kur Kurti kishte zhvilluar një takim në Ankara. (shih këtu)

E sa i përket pretendimit se Turqia do t’i dhurojë helikopter Kosovë, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar në burime kredibile që dëshmon një gjë të tillë. (shih këtu)
Analiza:
Përmes një postimi në TikTok që shfaq kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan pranë një helikopteri, pretendohet se Turqia do t’i dhurojë helikopter Kosovës.
Hibrid.info pas hulumtimit të kryer ka vërtetuar se fotografia është e montuar dhe se pretendimi se Turqia do t’i dhurojë helikopter Kosovës, është i rremë. Një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar nga asnjë burim kredibil.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Mashtrim” dhe “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.