Shkroi: Fatbardh Dema
“Fasulet kapin rekord në treg/ Nuk do ta besoni sa ka shkuar cmimi për kilogram”, mban titullin një artikull i publikuar dje (23 gusht).
Ky artikull u publikua nga faqet në Facebook si “Atdheu Lajm”, “Analiza”, “Shkupi”, “Lajmi Fundit” dhe “Rajoni Sot”. Të gjitha këto faqe kanë shpërndarë këtë artikull nga portali i dyshimtë “atdheulajm.com”.
E vërteta?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se lajmi për ngritjen e çmimit të fasules është i vjetër dhe i njëjti u mundua të paraqitet rrejshëm si aktual.
Vegëzat e artikullit të publikuar në Facebook nga faqet “Atdheu Lajm”, “Analiza”, “Shkupi”, “Lajmi Fundit” dhe “Rajoni Sot”:

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky lajm është i vjetër, i publikuar nga mediumi online “abcnews.al” me datë 14 nëntor 2023. (shih këtu)
Atëkohë, ishte raportuar për ngritjen e çmimit të fasules në Shqipëri, e që kilogrami shitej me 500 deri në 700 lekë.
Për ta vërtetuar edhe më shumë se këto çmime nuk janë aktuale, hibrid.info ka gjetur të publikuar në platformën online “agroalbania.al”, çmimin e fasules në Shqipëri, e që sipas të dhënave të përditësuara më 23 gusht, një kilogram fasule sillet nga 200 deri në 300 lekë. (shih këtu)

Analiza:
Një lajm i vjetër u paraqit rrejshëm si aktual, duke pretenduar se është rritur çmimi i fasules nga 500 deri në 700 lekë.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info vërtetoi se ky lajm është i nëntorit të 2023-s dhe se aktualisht çmimi për kilogram të fasules sillet nga 200 deri 300 lekë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.