[email protected]
Përmes një videoje të vjetër pretendohet rrejshëm se Turqia i ka dhuruar automjete ushtarake Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një videoje po pretendohet se automjetet ushtarake që shfaqen në video, i janë bërë dhuratë Kosovës nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit që ky i fundit pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Video-materiali u publikua me datë 2 qershor në TikTok nga llogaria me emër “mezatarum”.

Cila është e vërteta?

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se video-materiali që shfaq automjetet ushtarake qarkullon në internet që nga data 17 maj dhe është publikuar nga një llogari në gjuhën arabe.

Po ashtu në takimin e fundit ndërmjet Kurtit dhe Erdoganit të mbajtur me datë 31 maj në Turqi, nuk raportohet që Turqia t’i ketë dhuruar pajisje ushtarake Kosovës.


Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “mezatarum”:


Pas hulumtimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë video-materialin e njëjtë me automjetet ushtarake të publikuar me datë 17 maj në TikTok. (shih këtu)


Agjencia turke e lajmeve “Anadoly Agency” në shërbimin në gjuhën shqipe ka raportuar se në takimin Erdogan-Kurti, presidenti turk është shprehur se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo fushë veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe se është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (shih këtu)

Ndërsa në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës thuhet se në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, raportet ndërinstitucionale, zhvillimet rajonale dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, si dhe ato të sigurisë e mbrojtjes. (shih këtu)

Pra, në asnjë rast nuk është përmendur që në këtë takim të jetë konkretizuar ndonjë marrëveshje për furnizim me automjete ushtarake, siç pretendohet në video-materialin e publikuar në TikTok nga llogaria “mazatarum”.


Analiza:

Përmes një videoje të vjetër të publikuar nga një llogari në gjuhën arabe në TikTok, u pretendua rrejshëm se automjetet ushtarake që shfaqen në të, i janë dhuruar Kosovës nga Turqia.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »