[email protected]
Pretendim i pabazë se Kurti ka kërcënuar me luftë
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërcënuar me luftë 47 herë brenda shtatë ditësh e se jeta e serbëve në Kosovë po bëhet më e padurueshme ditë pas dite.

“Ekstremisti Kurti kërcënoi me luftë 47 herë për 7 ditë! Jeta e serbëve në Kosovë e Metohi po bëhet dita-ditës më e papërballueshme”, është titulli i artikullit nga mediumi në gjuhën serbe “alo.rs”, i publikuar më 31 maj.

Çfarë përmban ky artikull?

“Rreziku për luftë të re është real sepse Serbia, duke u armatosur, synon përshkallëzimin me qëllim të realizimit të ambicieve të veta territoriale, ka thënë ky i marrë”, thuhet në hyrje të artikullit.


Vegëza e artikullit të publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “alo.rs”:

https://archive.is/F0Zrb


Në përmbajtje, “alo.rs” ka përdorur një deklaratë të nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, që citohet të ketë thënë se Kurti flet për luftën për shkak se “është i papunë”. As Haziri nuk ka thënë se Kurti kërcënon me luftë, por se e përmend atë për të marrë vëmendjen “nga mospuna” e tij.

Sipas mediumit në gjuhën serbe deklaratat e Kurtit janë hedhur poshtë nga Ministria e Mbrojtjes në Serbi. Duke cituar një deklaratë zyrtare, është thënë se “pajisja e Forcave të Armatosura të Serbisë me sisteme moderne të armatimit dhe pajisje ushtarake është proces i vazhdueshëm dhe i planifikuar që buron nga vendosmëria strategjike e shtetit për të forcuar mbrojtjen, në radhë të parë si instrument parandalues ndaj agresionit të mundshëm të armatosur”.

Artikulli vazhdon me pretendimet se “sa shumë politika e Albin Kurtit është e bazuar në konfliktet dhe dëshirën për luftë, tregohet nga deklaratat e ministrit të tij të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ish-pjesëtar i UÇK-së terroriste, që ka thënë se konflikti s’do të nisë nesër, por se është e qartë se do të ndodhë”.

Çfarë ka thënë Kurti?

Më 23 maj, kryeministri Kurti në Konferencën e Mbrojtjes në Londër alarmoi për rrezikun e një lufte të re në rajon, duke thënë se rreshtimi i Serbisë me Rusinë, qasja ndaj Kosovës dhe armatimi i shpejtë “janë tregues se qëllimi i Serbisë është përshkallëzimi me synim të realizimit të ambicieve të saj territoriale”.

“Tre nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, përfshirë 48 baza operuese përreth kufirit me Kosovën, duke mos përfshirë edhe njësi të tjera të specializuara, janë të stacionuara në jug të territorit, afër kufirit me Kosovën. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është i vërtetë”, kishte thënë ai (shih këtu)


Analiza:

Pretendimi i titullit të mediumit në gjuhën serbe, “alo.rs”, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërcënuar me luftë është i pabazë.

Kryeministri Kurti ka thënë se ka rrezik të mundshëm duke ia atribuuar këtë armatimit të shpejtë të Serbisë dhe jo se Kosova e kërcënon dikë me luftë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406