info@hibrid.info
Pretendim i rremë se Hamasi ka blerë armë nga UÇK-ja
shape
shape
shape

Medium në gjuhën serbe “Alo.rs’ ka publikuar një artikull sot (17 tetor) me pretendimin se “Një pjesë e madhe e armëve ilegale nga Kosova që ishin në duart e UÇK-së përfunduan te Hamasi!”.

Gazeta në fjalë, duke iu referuar një deklarate të ish-kolonelit amerikan, Douglas Macgregor të bërë gjatë një analize lidhur me konfliktin Hamas-Izrael, pretendon se UÇK-ja po e armatos grupin palestinez Hamas.

Macgregor pretendon se “disa nga këto armë në fakt gjetën rrugën e tyre nga tregu ilegal i Kosovës në Ukrainë dhe Gaza”.

Pretendimi i Macgregor nuk bazohet në fakte por në, siç i quan ai vet, informacione të pakonfirmuara. Njëkohësisht, ai, në deklaratën e tij nuk e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) apo ndonjë organizim tjetër lidhur me pretendimin.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Alo.rs”:

https://www.alo.rs/vesti/svet/818276/ovk-naoruzao-hamas-americki-pukovnik-objavio-jezive-informacije/vest?fbclid=IwAR3AovYlSd3rCLgq7e7aa1L44pm5GBL29anpr1Kb6oc3CfnC9ONog53PUnc

Pjesë të artikullit të publikuar në “Alo.rs”:

Një pjesë e madhe e armëve ilegale nga Kosova dhe Metohia që ishin në duart e UÇK-së terroriste përfunduan te Hamasi!

Kjo konfirmon se UÇK-ja terroriste asnjëherë nuk është çarmatosur plotësisht dhe se armët kanë mbetur në depot e tyre të ruajtura mirë në territorin e Podujevës, Gjilanit, Prishtinës dhe Gjakovës, dhe ka informacione se një pjesë e armëve kanë përfunduar në depo ilegale në disa vendet përreth. Këto armë tani po i shiten Hamasit.


Ky pretendim ka zënë vend në ballinë të gazetës së ditës së martë (17 tetor). (këtu)


Në një analizë të bërë rreth konfliktit Hamas-Izrael, të publikuar në Youtube (14 tetor, min 10:30) ish koloneli Douglas Macgregor deklaron se “shumica e armëve që shohim se po përdoren tani kanë ardhur nga burime të tjera, sigurisht nga Irani. Ka informacione të pakonfirmuara se disa nga këto armë në fakt gjetën rrugën e tyre nga tregu ilegal i Kosovës në Ukrainë dhe Gaza.” (këtu)

Deklarata e Macgregorit mbetet në suaza të pretendimin për shkak se nuk bazohet në ndonjë fakt, por në, siç e thotë edhe vet ai, informacione të pakonfirmuara, për atë që e thotë.

Njëkohësisht, Macgregor këtë informacion të pakonfirmuar nuk e ndërlidh me UÇK-në, ashtu siç pretendon mediumi në gjuhën serbe se UÇK-ja është e përfshirë në armatosjen e Hamasit.


Macgregor, një deklaratë të ngjashme të pakonfirmuar e kishte bërë në qershor të këtij viti (2023), ku pretendoi në mënyrë të pabazë se “ka shumë njerëz që vërejnë shumë armë që janë dërguar në Ukrainë janë parë në Kosovë dhe kanë kaluar diku tjetër në duart e njerëzve që ne në perëndim nuk do t’i armatosnim”. (këtu)


Analiza:

Pretendimi i mediumit në gjuhën serbe se armët e UÇK-së kanë përfunduar në duart e Hamas-it është i pabazë.

Edhe Macgregor nuk e fakton pretendimin se “shumë armë në fakt gjetën rrugën e tyre nga tregu ilegal i Kosovës në Ukrainë dhe Gaza”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »