Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes dy fotografive në të cilat paraqiten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e në tjetrën presidentja Vjosa Osmani, pretendohet se këto dy figura politike janë pagëzuar.
Këto postime u publikuan (8, 15 gusht) në TikTok nga llogaria “arber112”.
Çka nuk shkon me këto pretendime?
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimet e bëra nga llogaria e lartcekur, janë të rreme.
Vegëzat e postimeve të publikuara në TikTok nga llogaria “arber112”:
Pas hulumtimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur t’i gjejë këto fotografi.
Fotografia në të cilën paraqitet Kurti me disa zyrtarë qeveritarë, është shkrepur gjatë vizitës në Famullinë e Shën Mihillit në Doblibarë. (shih këtu)
Ndërsa fotografia në të cilën paraqitet presidentja Osmani me Ipeshkvin Dodë Gjergji, u shkrep gjatë festës së Zojës së Madhe në Letnicë të Vitisë. (shih këtu)
Cili është kuptimi i fjalës “pagëzim”?
PAGËZIM m.
1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve PAGËZOJ, PAGËZOHEM. Pagëzimi i fëmijës. fet. Emri i pagëzimit. Ena e pagëzimit. fet. Dita (ceremonia) e pagëzimit. fet.
2. fet. Riti fetar që bëhet kur pagëzojnë një foshnjë a një të rritur (në vendet ku vepron feja e krishterë). Formula e pagëzimit. Libri i pagëzimit.
Pagëzimi i zjarrit pjesëmarrja për herë të parë në luftë, beteja e parë në të cilën merr pjesë dikush. (shih këtu)
Analiza:
Pretendimi se Kurti e Osmani janë pagëzuar, është i rremë.
Fotografia që shfaq Kurtin, është shkrepur gjatë një vizite të tij së bashku me disa zyrtarë qeveritarë në Famullinë e Shën Mihillit në Doblibarë.
Ndërsa fotografia e Osmani së bashku me Ipeshkvin Dodë Gjergji, u shkrep gjatë festës së Zojës së Madhe në Letnicë të Vitisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të bërë nga llogaria “arber112” në TikTok, si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.