Publikohet përmbajtja që pretendon se është gjetur një statujë në një kishë, e ndërtuar në vitet 1600.
Imazhi që tregon një burrë me kostum astronauti është publikuar në TikTok me 3 qershor, nga llogaria me emrin “fakte.konspirative”.
E vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se këto statuja të astronautëve ekzistojnë në një katedrale në Spanjë dhe janë gdhendur në vitin 1992.
Vegëza e imazhit të publikuar në TikTok nga llogaria “fakte.konspirative”:
Pas hulumtimit nga hibrid.info me anë programit të automatizuar të kërkimit “InVID”, është gjetur se statujat e astronautit janë të gdhendura në një katedrale në Spanjë me emrin “Catedral Nueva”, e ndërtuar në shekullin XVI.
Në bazë të artikujve të hasur, hibrid.info ka kuptuar se statujat e gdhendura janë përfshirë në objektin e katedrales, në vitin 1992 (shih këtu dhe këtu).
Hibrid.info po ashtu ka kërkuar dhe ka gjetur artikuj që tregojnë për historinë e kostumeve të astronautëve, me anë të cilave tregohet se ato janë dizajnuar dhe përdorur fillimisht gjatë shekullit XX (shih këtu dhe këtu).
Gjë e cila hedh poshtë mundësinë e ndërtimit të statujave të astronautëve me kostume të tilla, para kësaj periudhe.
Analiza:
Pretendimi për statujat e astronautëve të gdhendura në një katedrale, i cili thotë se ka ndodhur në shekullin XVI, është i pa vërtetë.
Hibrid.info ka vërtetuar se statujat e gdhendura, i janë shtuar katedrales së vjetër mbi 500 vjeçare, në vitin 1992.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.