[email protected]
Pretendim pa fakte se konfiskohet pompa e derivateve e Milan Radoiçiqit
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull i titulluar “I konfiskohet pompa e derivateve Milan Radojçiqit”.

Ky tekst është publikuar dje (16 korrik) nga portali i agjencisë së lajmeve “KosovaPress.com”.

Cila është e vërteta?

Sipas konfirmimeve nga institucionet zyrtare shtetërore, dje i është ndërprerë veprimtaria tre pompave të derivateve në dy komuna të veriut (1 në Mitrovicë të Veriut dhe 2 në Zubin Potok), të cilave iu mungonte licenca.

Nga njoftimet zyrtare, asnjëherë nuk është thënë se njëra nga to i përket ish-nënkryetarit të Listës serbe, Milan Radoiçiqit dhe as që të njëjtat janë konfiskuar.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “KosovaPress.com”:

https://archive.is/nkWox#selection-515.0-524.0


Ndryshe nga titulli, ku thuhet se është konfiskuar një pompë derivatesh nën pronësi të Milan Radoiçiqit, në përmbajtje të këtij artikulli nuk thuhet e njëjta. Aty pretendohet për mbylljen e një pompe të derivateve, ndërsa thuhet që është konfiskuar një pasuri që dyshohet të jetë e personit të sipërpërmendur.

Kreu i artikullit të publikuar në “KosovaPress.com”:

“Para pak minutave inspektorët së bashku me pjesëtarët e policisë ia kanë vënë shiritin pompës së derivateve ‘Nis Petrol’ në veri të Mitrovicës, duke e konfiskuar kështu edhe një pasuri që dyshohet të jetë e Milan Radojçiqit”.


I njëjti pretendim është gjetur i publikuar nga hibrid.info edhe në media tjera në gjuhën shqipe, “telegramnews.com”, “botasot.info”, “paparaci.com” (shih këtu, këtu, këtu) dhe në një video-material në kanalin zyrtar të “Kanal10” në Youtube (këtu).


Hibrid.info ka hulumtuar në disa institucione të cilat kanë qenë të përfshira në këtë aksion, në njoftimet e të cilave është konfirmuar mbyllja e tre pompave të derivateve në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut.

Në komunikatat e publikuara në Facebook nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), është njoftuar se pompave që e zhvillonin veprimtarinë në pronat e AKP-së, iu është ndaluar aktiviteti në mungesë të licencës dhe iu është ndërprerë edhe kontrata me AKP-në. Si rrjedhojë, të njëjtat thuhet se janë mbyllur përkohësisht (shih këtu dhe këtu).

Komunikata e AKP-së për media në Facebook:

“Ditëve të fundit kemi pranuar informacione se qiramarrësit e pikave të karburantit nën administrimin e Agjencisë së Kosovës për Privatizim në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut janë duke operuar pa licencim.

Sot, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kemi dalë në terren, ku pas vizitave dhe inspektimeve, është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara. Kjo përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit.

Mbi bazën e gjetjeve në terren, Inspektorati i MINT u ka ndërprerë veprimtarinë këtyre bizneseve, dhe si rrjedhojë e kësaj AKP do të ndërpres kontratat e qirasë.

Agjencia ua bën me dije të gjithë qiramarrësve, ashtu siç është përcaktuar në kontratën e qirasë, se duhet të operojnë në përputhje me legjislacionin e Kosovës”.

Njoftim i MINT-it në Facebook:

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut Mbyll Përkohësisht 3 Pompa të Derivateve të Naftës në Veri të Kosovës

Sot, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Policinë e Kosovës dhe Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës, ka realizuar një aksion të përbashkët në pjesën veriore të vendit.

Gjatë këtij aksioni, janë mbyllur përkohësisht 3 pika shitëse të derivateve të naftës për të verifikuar dokumentacionin përkatës. Inspektorët e Tregut kanë zbuluar se këto pompa ushtrojnë veprimtarinë tregtare pa leje të shitjes me pakicë për Dizel dhe Benzinë.

Të gjitha subjektet që merren me veprimtari të produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës.

 Ndaj operatorëve ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si dhe masa të tjera ndëshkuese konform legjislacionit aktual”.


Pasi që në këto njoftime, aksioni thuhet se është bazuar në Ligjin për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, hibrid.info ka kuptuar se sipas nenit 15 të këtij ligji, ku parashihen dispozitat ndëshkuese, në rast të mungesës së licencës paraprake, personi që e zhvillon veprimtarinë në këtë mënyrë mund të dënohet deri në 100.000 euro (shih këtu).

Ligji po ashtu përcakton edhe intervenimin e gjykatës, në nenin 13, ku tregohet se institucioni që mbikëqyr zbatimin e këtij ligji, mund të kërkojë nga gjykata kompetente që të lëshojë urdhër për pezullim dhe ndërprerje të veprimtarisë, nëse personi ka bërë shkelje të këtij ligji apo të dispozitave tjera të miratuara më vonë.

Gjetjet e tjera të hibrid.info, tregojnë se edhe në bazë të përkufizimeve në nenin 2, të Ligjit për administrim të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, nevojitet urdhër me vendim të formës së prerë nga gjykata, për t’i konfiskuar pasurinë dikujt (shih këtu). Në njoftimet e mësipërme të AKP-së dhe MINT-IT, nuk konfirmohet konfiskimi i pronave, ku është zhvilluar aksioni.

Sa i përket dyshimeve se njëra nga pompat e mbyllura është pronë e Radoiçiqit, ato nuk janë konfirmuar në prononcimet publike të zv-komandantit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani. Ndonëse në titullin e video-materialit të publikuar në “Kanal10” pretendohet se “Milan Radojçiqit i konfiskohet pompa e derivateve”, Elshani nuk i ka pohuar as mohuar këto dyshime (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se Milan Radoiçiqit iu konfiskua pompa e derivateve, nuk është i konfirmuar.

Njoftimet zyrtare tregojnë për mbylljen e tre pompave të derivateve që thuhet se vepronin kundërligjshëm, për të cilat nuk dihet ende nëse njëra i përkiste Radoiçiqit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale. Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »