info@hibrid.info
Pretendohet pa fakte se rrahja e qytetarit serb në Bërnicë ndodhi “për motive etnike si pasojë e politikës antiserbe të Kurtit”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Rrahja e Mlladen Gjoshiqit është një valë e re e frikësimit të serbëve në Kosovë dhe pasojat e politikës antiserbe të Albin Kurtit”, mban titullin komunikata e lëshuar sot (6 korrik) nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në këtë komunikatë, kjo zyrë ka reaguar pas raportimin për rrahjen e një qytetari serb mbrëmë (5 korrik) në Bërnicë afër Prishtinës, duke pretenduar pa asnjë fakt se ngjarja ka ndodhur për motive etnike.

Çka nuk qëndron me këtë pretendim?

Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka gjetur deklaratën e qytetarit që dyshohet se u rrah mbrëmë, dhënë për mediumin në gjuhën serbe “Kosovo-online.com”. Në këtë deklaratë, personi i apostrofuar ka dhënë detaje për rastin. Ai ka treguar se edhe më herët me të dyshuarin kanë pasur probleme, siç ceket në artikull të “Kosovo-online.com”, për punën që ata bëjnë – “shitjen e perimeve”.

Ai në asnjë rast nuk ka përmendur se ngjarja ka ndodhur për motive etnike, siç pretendohet në komunikatën e zyrës së lartcekur.


Vegëza e artikullit të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:

https://kim.gov.rs/lat/v5621.php


Pjesë nga komunikata e kësaj zyre, e përkthyer në shqip:

Rrahja e mbrëmshme e Mlladen Gjoshiqit nga Bërnica është një valë e re frikësimi dhe presioni ndaj popullit serb në Kosovë dhe pasojë e politikës antiserbe të Albin Kurtit, çdo deklaratë e të cilit gjeneron incidente të reja të motivuara etnikisht.


Çka thuhet në artikullin e Kosovo-Online.com?

Në fshatin Bërnicë, afër Prishtinës, mbrëmë është rrahur 38-vjeçari Mlladen Gjoshiq. Ai është rrahur në treg, në prani të djalit të tij, nga një shqiptar nga i njëjti fshat dhe i është thyer hunda. Në vend të sulmuesit, policia e Kosovës fillimisht ndaloi Gjoshiqin dhe babain e tij. Gjoshiq thotë për Kosovo-Online se babai i tij së fundmi ka pasur probleme me sulmuesin në lidhje me shitjen e perimeve. (shih këtu)


Çka tha Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, në lidhje me këtë ngjarje?

LËNDIM I RËNDË TRUPOR

·         Fsh. Bërnicë, Prishtinë  05.07.2024 – 21:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.


Komunikata e lëshuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u publikua edhe nga mediat në gjuhën serbe si, “Kurir.rs”, “Tanjug.rs”, “Telegraf.rs”, “Kosovo-Online.com”, “Radiokim.net”, “Rtv.rs” e “Novosti.rs”.


Analiza:

Rrahja e një qytetari serb në Bërnicë afër Prishtinës, u interpretua si ngjarje “me motive etnike si pasojë e politikës antiserbe të Kurtit”.

Komunikata me këtë pretendim u lëshua nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, e më pas u publikua edhe në shumë media në gjuhën serbe.

Mirëpo, vetë qytetari serb, në një intervistë dhënë për Kosovo-Online, kishte dhënë detaje për rastin, duke sqaruar se edhe më herët me të dyshuarin kanë pasur probleme për punën që ata bëjnë – “shitjen e perimeve”.

Gjithashtu, edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, lidhur me këtë rast, nuk specifikohet se i njëjti ka ndodhur për motive etnike.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »