[email protected]
Pretendim i pasaktë se disa prona të bllokuara përkohësisht në Kosovë, janë financuar nga Serbia
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Policia e Kosovës i konfiskon 24 prona dhe 11 objekte në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë të cilat ishin ndërtuar dhe duke punuar në mënyrë ilegale, gjenden dhe dokumente ku shkruan se ishin të financuara nga serbia”.

Ky është mbishkrimi i një imazhi të publikuar nga faqja “Lajme Nga Bota” në Facebook.

E vërteta është ndryshe

Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për një vendim, me anë të së cilit ndalohen përkohësisht, 24 prona të paluajtshme dhe 11 objekte (villa), për të cilat ka dyshim të bazuar se janë përfituar me vepër penale, nga një i dyshuar, i cili edhe është arrestuar.

Në njoftimin e Prokurorisë nuk konfirmohet se financimi vinte nga Serbia.


Hibrid.info ka gjetur komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku njoftohet për rastin në fjalë (shih këtu).

Njoftimi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës:

“Prishtinë, më 26 shtator 2024 / Prokuroria Themelore në Prishtinë në vazhdën e veprimeve hetimore në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323 par 4 dhe “Shmangia nga Tatimi”, nga neni 307 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të 24 pronave të paluajtshme dhe 11 objekteve (villa), për të cilat ka dyshim të bazuar se janë përfituar me vepër penale.

Vlera e pasurisë së bllokuar llogaritet të jetë qindra mijëra euroshe dhe sipërfaqja totale e pronave të bllokuara përkohësisht është 55687 metra katrorë.

Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në zbatimin e Ligjit dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave penale.”


Hibrid.info, po ashtu ka gjetur edhe raportime nga mediat kredibile në gjuhën shqipe që kanë raportuar për rastin, ku konfirmohet bllokimi (dhe jo konfiskimi) i 24 pronave dhe 11 villave në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë (shih këtu, këtu dhe këtu).

Ligji për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar përcakton qartë definicionin e termeve “konfiskim” dhe “sekuestim”.

Konfiskimi – do të thotë marrje e përhershme e pasurisë, të urdhëruar me vendim të formës së prerë nga gjykata;

Sekuestrim – do të thotë marrja e përkohshme e sendit në bazë të vendimit të gjykatës apo organit kompetent, në pajtim me ligjin;


Analiza:

Pretendimi për konfiskimin e 24 pronave dhe 11 objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale dhe të financuara nga Serbia, në Kosovë, është i pa saktë.

Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për prona të sekuestruara (ndalim i përkohshëm) dhe jo të konfiskuara, për të cilat, po ashtu nuk konfirmohet se janë të financuara nga Serbia.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »