[email protected]
Pretendohet rrejshëm se Vasfije Krasniqi-Goodman ka kërkuar llogari nga komandantët e UÇK-së, për atë që i ndodhi në luftën e fundit në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një përmbajtje me imazhin e ish-deputetes, Vasfije Krasniqi-Goodman, për të cilën pretendohet se iu është drejtuar komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me fjalët: Ku ishit ju trima te fb, kur serbet na dhunonin.. nuk ishim 20 e as 300…e as dy mije, por 20.000!!!..

Ky postim është publikuar sot (29 gusht) në Facebook, nga portali “lecanton27.ch”, i  vetëquajtur si gazeta e parë shqipe në Zvicër.

Çka tha në të vërtetë Krasniqi-Goodman?

Portali “lecanton27.ch” ka publikuar një artikull të mediumit “Radio Evropa e Lirë” (REL), ku raportohej për fjalimin e Krasniqi-Goodman në vitin 2020, në Kuvendin e Kosovës, një prej të mbijetuarave të dhunës së luftës së fundit në Kosovë.

Por, gjetjet e hibrid.info tregojnë se mbishkrimi, që “lecanton27.ch” i ka vendosur këtij artikulli nuk e jep informacionin që është paraqitur në artikullin e “REL”.


Vegëza e përmbajtjes së publikuar në Facebook nga portali “lecanton27.ch”:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid0gfARtEUHoH3RR5U5PAqGqVY5jEid53CHvdtzpw8HxneV7bBXSLfqbeWgFAFe26g9l&id=100057128651896


Hibrid.info ka verifikuar artikullin e “REL” dhe ka gjetur se në komentet e saj, gjatë fjalimit të mbajtur më 9 mars të 2020, në Kuvend, Goodman-Krasniqi, në asnjë rast nuk iu është drejtuar komandantëve të UÇK-së (shih këtu).

Deklaratat e cituara të Goodman-Krasniqi në artikullin e “REL”:

“Vendi ynë, shoqëria jonë ne na stigmatizon. Na bën që mos të ndihemi vajza, motra, gra, por edhe nëna të mira. Po ku ishit ju atëherë, para 21 vjetësh, a ishit në tavan, kur iu dhunua gruaja nëpër dhoma? Ku e morët guximin ju t’i braktisni gruan dhe fëmijët, ku ishin djemtë që e panë nënën duke e dhunuar, e përzunë nënën, kurse e mbajtën gruan në shtëpi sepse nuk e dinte se edhe gruan e kishte të dhunuar. Ku ishit ju, kur u dhunua Jeta shtatëvjeçare? E tash ju çka po bëni për të na lehtësuar ne jetën? Duhet t’iu vjen turp të gjithëve, të gjithë shoqërisë kosovare sepse po na viktimizoni për çdo ditë”,

“Duhet të ndryshoni sepse ka ardhur fundi. Qe 20 vjet, mjaft kemi duruar, por më nuk mund t’ua falim atë që na keni bërë, të durojmë për dy dekada. Në fund i lus të gjithë deputetët, institucionet e Kosovës që krimet e luftës dhe dënimet të merren me seriozitet. Që 20 vjet asnjë person nuk është ndëshkuar për këto krime”


Një gjë e tillë mund të vërtetohet edhe nga videoja e fjalimit të plotë Krasniqi-Goodman (shih këtu).

Hibrid.info ka kryer një verifikim të hollësishëm duke analizuar edhe videon e plotë të fjalimit të Krasniqi-Goodman, në të cilin nuk provohet pretendimi i “lecanton27.ch”.

Për më tepër, kërkimi i bërë në Google nga hibrid.info nuk ka prodhuar asnjë artikull apo përmbajtje që të konfirmojë se Krasniqi-Goodman ka bërë ndonjëherë një deklaratë të tillë (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se Vasfije Krasniqi-Goodman i është drejtuar komandantëve të UÇK-së me një deklaratë specifike, është i rremë.

Sipas verifikimit të hibrid.info, as në fjalimin e saj nga 9 mars 2020 në Kuvendin e Kosovës, as në ndonjë artikull tjetër të gjetur përmes kërkimit në Google, nuk ka prova që ajo ka bërë një deklaratë të tillë, në raport me drejtuesit e UÇK-së.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »