info@hibrid.info
Raportimi i mediave kosovare për protestat në Serbi paraqitet pa fakte si përkrahje e “mediave të Kurtit” për shkatërrimin e shtetit serb
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Nëpërmjet artikujve është pretenduar se raportimi i mediave në gjuhën shqipe në Kosovë për protestat në Serbi, është dëshmi e “mbështetjes së Albin Kurtit për protestat për shkatërrimin dhe djegien e Serbisë”.

Disa media në gjuhën serbe kanë pretenduar se “media të kontrolluara nga Kurti në Prishtinë kanë njoftuar për përkrahje të protestave në Beograd, me qëllim të shkatërrimit të Serbisë”.

“Tani gjithçka është e qartë: Kurti përkrah Marinika Tepiq, Goran Jeshiq dhe Dink Gruhonjiq në shkatërrimin dhe djegien e Serbisë!”, mban titullin artikulli i publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “novosti.rs” të premten (13 dhjetor).

E vërteta?

Në publikimet e bëra, mediat në gjuhën serbe nuk kanë ofruar asnjë fakt që mbështet pretendimin në fjalë.

Përmbajtja e artikullit të “novosti.rs”:

“Mediat në Prishtinë nën udhëheqjen e urrejtësit famëkeq të serbëve, Albin Kurti, përkrahën Marinika Tepiq, Goran Jeshiq dhe Dink Gruhonjiq në shkatërrimin e Serbisë. Të gjitha mediat në Prishtinë nën kontrollin e Albin Kurtit kanë shprehur përkrahjen për protestat e ‘studentëve’ në Beograd, me qëllim shkatërrimin e Serbisë. Kurti kështu u ka dërguar përkrahje Marinika Tepiq, Goran Jeshiq, Dink Gruhonjiq dhe politikanëve të tjerë anti-serbë, me mesazhin se shqiptarët janë me ta në rrënimin e të vetmes pengesë që i del përpara jorealitetit të shtetit të rremë të Kosovës”.

Në artikull janë publikuar si fotografi titujt e mediave në gjuhën shqipe “insajderi.org”, “nacionale.com”, “kosovarja-ks.com” dhe “telegrafi.com”. Titujt e tyre tregojnë se raportohet për protestat në Serbi, por pa interpretime, siç pretendohet nga raportimet në gjuhën serbe.

Pretendimi që këto janë media nën kontroll të Kurtit është i pabazë. Në bazë të të dhënave të publikuara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), këto portale nuk kanë ndërlidhje me Kurtin në aspektin e pronësisë dhe as të politikës redaktuese, siç pretendohet.

Artikulli me pretendim të ngjashëm u publikua te disa media në gjuhën serbe: “b92.net”, “alo.rs” “informer.rs”, “borba.me”.


Çka dihet për protestat në Serbi?

Protestat në Serbi janë intensifikuar pas një ngjarjeje tragjike më 1 nëntor 2024, kur çatia e stacionit të trenit të Novi Sadit u shemb, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave dhe duke lënduar disa të tjerë. Shembja ndodhi papritur, me shumë viktima që ishin duke qëndruar ulur ose duke kaluar poshtë çatisë së betonit. Në përgjigje, protestat kanë shpërthyer në të gjithë Serbinë, duke kërkuar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat. Protestuesit kanë theksuar korrupsionin e dyshuar dhe praktikat e dobëta të ndërtimit si shkaktarë të tragjedisë, duke nxjerrë në pah përfshirjen e kompanive ndërtuese kineze në rinovimet e fundit. Ka pasur gjithashtu kërkesa për dorëheqjen e zyrtarëve të qeverisë, përfshirë kryeministrin Alleksandar Vuçiq dhe ministrin e Ndërtimit, Goran Vesiq, për akuzat se kanë menaxhuar keq procesin e rinovimit.​


Analiza:

Pa paraqitur fakte, media në gjuhën serbe kanë pretenduar se raportimi i mediave në gjuhën shqipe në Kosovë për protestat në Serbi është “dëshmi e mbështetjes së Albin Kurtit për protestat për shkatërrimin dhe djegien e Serbisë”.

Në pretendim, këto media kanë thënë se mediat në Kosovë që kanë raportuar për këto protesta “janë të kontrolluara nga Kurti”. Por as për këtë nuk janë ofruar fakte.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »