Disa portale informative në gjuhën shqipe, sot (7 mars) kanë raportuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nisur disa aksione në Kosovë.
Në këto raportime, u tha se një aksion po zhvillohet në shtëpinë e ish-eprorit të UÇK-së, Sylejman Selimi, dhe atë të ish-ministri të Drejtësisë, Hajredin Kuçit.
Mirëpo, më pas ishte vet Kuçi që e ka mohuar se ka qenë cak i bastisjes së shtëpisë së tij nga Specialja, duke shpjeguar se ka pasur një kontakt me ta rreth punës që bën si këshilltar i angazhuar në ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, i cili po gjykohet në Hagë.
Vegëzat e artikujve të publikuar në portalet si “Nacionale.com”, “EkonomiaOnline.com”, “Sinjali.com” dhe “GazetaMetro.net”.
Kuçi në një prononcim për Klan Kosova, e ka mohuar se ka qenë cak i bastisjes së shtëpisë së tij nga Specialja. (shih këtu)
“Jo, nuk ka pas bastisje. S’ka pas bastisje, kam pas një kontakt me ta për punën që e bëj atje, por jo as bastisje, as polici as kurgjë tjetër. Po më vjen keq që e kanë qit lajmin”, tha Kuçi për Klan Kosova.
Pas prononcimit të Kuçit rreth kësaj çështje, deri në shkrimin e këtij artikulli, disa nga mediat e lartcekura e kanë përditësuan informacionin, duke raportuar se nuk kishte bastisje në shtëpinë e ish-ministri i Drejtësisë. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Analiza:
U raportua se sot janë bastisur shtëpitë e Sylejman Selimit e Hajredin Kuçit nga Gjykata Speciale.
Përderisa raportimi për bastisjen e shtëpisë së Selimit doli të jetë i saktë, ai për bastisjen e shtëpisë së Kuçit u demantua nga vetë ai.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson raportimin e mediave për bastisjen e shtëpisë së Kuçit nga Gjykata Speciale, si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.