Shkroi: Endrit Berisha
Nëpërmjet një artikulli të shpërndarë në disa faqe në Facebook është pretenduar për gjetjen e një medikamenti që ndikon në uljen e përhershme të nivelit të sheqerit.
“Shpëtim për diabetikët! Endokrinologu tregoi se si mund të ulni përgjithmonë nivelin e sheqerit në vetëm 24 orë! Lexo më shumë”, është mbishkrimi i postimit të sponsorizuar të publikuar në faqet “Second Ai”, “Keep Your Alive” dhe “Zei Trodowcel” në Facebook të premten (21 qershor). Në postimin në Facebook, faqet kanë përdorur një fotografi të një prezantuese televizive të RTK-së, logon e këtij mediumi, dhe një mjeke në sfond.
Çka nuk shkon me këtë publikim?
Pas verifikimit nga hibrid.info, del që postimi përdor fotografi të manipuluar dhe çon në faqe të dyshimtë me artikull të rremë.
Vegëza e postimit të “Second Ai” në Facebook:
Pse janë të dyshimta postimet në Facebook dhe ueb-faqja e artikullit?
Në postimin në Facebook, faqet në fjalë kanë publikuar një fotografi të një prezantueseje në RTK gjatë një transmetimi televiziv dhe një mjeke. Por pas kërkimit nga hibrid.info, në uebfaqen e RTK-së nuk janë gjetur përmbajtje që kanë të bëjnë me publikim të ngjashëm (shih këtu).
Faqet në fjalë kanë sponsorizuar postimin. Ato të gjitha bashkë numërojnë dhjetëra ndjekës e në përshkrim të faqes shkruajnë se janë restorante apo faqe për muzikë.
Kanë marrë disa komente në të cilat komentuesit akuzojnë për mashtrim faqet.
Klikimi në publikimin në Facebook çon në faqen e dyshimtë “mk7.teaequisphere.pro”. Artikulli që hapet ka përmbajtje të rreme e me fotografi të vjetra dhe të marra nga vende të tjera. “Më 20.06.2024 u mor vendimi për ndarjen e kuotës për trajtimin e diabetit” mban titullin ky artikull.
Vegëza e artikullit të dyshimtë:
Hibrid.info pati trajtuar përmbajtjen e njëjtë dhe në muajin maj (shih këtu). Dallimi i rastit të kaluar ka qenë në publikimin në Facebook. Atë kohë, përmbajtja e dyshimtë në Facebook ishte shoqëruar me pretendimin për ndihmë nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Pas publikimit nga hibrid.info, pati reaguar edhe Kryqi i Kuq i Kosovës (shih këtu).
Pos shkrimit edhe fotografitë e përdorura në artikullin e ri janë të njëjta si në atë rast. Ndryshojnë vetëm datat dhe domaini i ueb-faqes. Në fotografinë kryesore sërish shfaqet një takim i Komitetit për shëndetësi në Parlamentin e Ukrainës (shih këtu). Edhe në këtë artikull përdoret emri “Ajsha Krasta” si endrokrinologe që ka iniciuar “vendimin për kuotën për trajtim të diabetit”. Por pas hulumtimit të hibrid.info del se fotografia e përdorur në këtë rast është e doktoreshës turke Meltem Goreli e nxjerrë nga një video e 3 janarit të 2022-s në Instagram. (shih këtu)
Në fund artikulli çon në “ofertën e zbritjes” për të blerë produktin “Diatea”. Për të alarmuar aty thuhet se “për shkak të numrit të madh të porosive, prodhuesi duhej të kufizonte kushtet”. “Aksioni zgjat deri më 22.06.2024 përfshirëse”, thuhet në fund të artikullit. E ky produkt ofrohet “me zbritje 50 për qind” dhe kushton 20 euro. Aty është edhe një kohëmatës që shkon duke numëruar së prapthi, por sapo të arrin në 0, rikthehet sërish nga fillimi.
Të dyshimtë faqen e bën edhe përdorimi i disa fjalëve nga gjuhë të tjera.
Në fund të përmbajtjes promovuese në ueb-faqen e dyshimtë janë edhe disa komente që e lavdërojnë produktin. Por profilet e tyre nuk është e mundur të klikohen që të vërtetohet se janë reale.
Në fund të faqes figuron edhe një adresë në Moskë të Rusisë.
Analiza:
Faqet “Second Ai”, “Keep Your Alive” dhe “Zei Trodowcel” kanë publikuar një fotografi nëpërmjet të cilës kanë pretenduar se është gjetur “shpëtimi për diabetikët”, duke përdorur fotografi të manipuluar të një kinse një transmetimi televiziv në RTK dhe të një mjekeje që pas verifikimit ka dalë të jetë turke.
Publikimet çojnë në një artikull në ueb-faqe të dyshimtë me qëllim të reklamimit të një produkti. Artikulli përmban fotografi të vjetra që nuk lidhen me çështjen e pretenduar që e reklamojnë faqet. Për më shumë, në artikuj ka përmbajtje në gjuhën ruse. Nuk është hera e parë që përmbajtja e tillë qarkullon në gjuhën shqipe në Facebook (shih këtu).
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.