info@hibrid.info
Rishikimi i javës: përmbajtje mashtruese për sondazhe elektorale, rritje pensionesh nga Qeveria dhe dhënie kredish, teori konspirative nga përmbajtje në gjuhën serbe
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Përmbajtjet mashtruese dhe teoritë konspirative janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Përmbajtjet mashtruese u publikuan nga faqe dhe llogari në media sociale. Në Tiktok u publikua pretendimi për publikimin e një sondazhi për kryeministër të Kosovës; se ka filluar shtrirja e barit sintetik në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa në Facebook u publikua një përmbajtje që pretendon se ofrohet mundësi për kredi, e cila miratohet shpejt në internet; si dhe se nga data 1 korrik 2024, Qeveria do të rrisë pensionet.

Teoritë konspirative u publikuan në media dhe llogari në rrjetin social Telegram në gjuhën serbe dhe Tiktok në gjuhën shqipe. Në media u publikua pretendimi se djegia e flamurit serb në Mitrovicën veriore nga persona të panjohur, paraqet mbjellje frike për qytetarët serbë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në Telegram u publikuan përmbajtje si, pretendimi se ndalimi nga Policia e Kosovës e pesë të miturve serbë që vendosën afishe në Mitrovicën e Veriut, me fotografi të Stefan Nedelkoviqit, njërit prej të vrarë serbë që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ka si synim për dëbimin e rinisë serbe nga Kosova; si dhe se djegia e disa automjeteve në Mitrovicë të Veriut është rezultat i trukeve të Policisë së Kosovës. Ndërsa në Tiktok, u pretendua se është gjetur një statujë në një kishë, e ndërtuar në vitet 1600 që tregon një burrë me kostum astronauti.

Përmbajtjet dezinformuese janë publikuar në media sociale në gjuhën shqipe dhe serbe. Në Facebook nga llogari në gjuhën shqipe janë publikuar një video-material që shfaq disa persona pranë kompjuterëve të lidhur me shumë telefona, me pretendimin e funksionimit të “Lëvizjes për braktisjen vullnetare të fesë islame” dhe është pretenduar për publikimin e një sondazhi për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë. Ndërsa nga një llogari në TikTok është publikuar një video-material me pretendimin se “Ushtria kosovare ka hyrë sot në veri të Mitrovicës, lufta është afër”, në të cilën shihen pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Artikujt me tituj clickbait janë publikuar në media. Në një artikull të publikuar në titull është pretenduar si punë e kryer se ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është zgjedhur emisar i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi. Në media është publikuar një artikull me deklaratë të Richard Grenellit, ish-përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, në titullin e të cilit pretendohet se Grenell po ashtu, është zgjedhur si numri 2 në SHBA.

Në media është raportuar gabimisht nga mediumi në gjuhën ukrainase “unn.ua” me pretendimin se “Rreth 8000 myslimanë të Kosovës” ishin vrarë në korrik të 1995-s në qytetin e Srebrenicës. Si dhe po ashtu në media është raportuar gabimisht në artikullin informues që njofton për vdekjen e profesorit dhe poetit Nuhi Vinca, e që i është bashkangjitur fotografia e profesorit Agim Vinca, i cili është vëllai i të ndjerit.

Mashtrim

Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se një portal amerikan ka kryer sondazh për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. Llogaria “albinkurti_kryeminister” ka publikuar një imazh të dielën (7 korrik) nëpërmjet të cilës ka pretenduar se faqja “Secure America Now”, në Facebook, ka nxjerrë rezultatet e një sondazhi për zgjedhjet në Kosovë. Pas verifikimit nga hibrid.info, del që përmbajtja është tërësisht e rreme. Faqja e apostrofuar nga llogaria në TikTok, nuk ka bërë publikime të tilla që lidhen me sondazhe për Kosovën. (këtu)

Publikohet një përmbajtje që pretendon se ofrohet mundësi për kredi, e cila miratohet shpejt në internet. Mbishkrimi me anë të një vegëze në formë imazhi, e publikuar (11 maj) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “Tech Point”, në Facebook, pretendon se mundësia për kredi shkon nga 30 mijë deri në 1 milion euro. Hibrid.info ka gjetur se një mundësi e tillë e paraqitur në këtë përmbajtje, nuk ofrohet nga faqja në fjalë. (këtu)

Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin që pretendon se ka filluar shtrirja e barit sintetik në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pretendimi u publikua (6 qershor) me anë të një video-materiali ku shihen pamje të punimeve në stadium, nga llogari në TikTok, me emrin “info.shqyp”. Por, gjetjet e hibrid.info tregojnë se bari i vendosur në fushë, është i llojit hibrid. (këtu)

Publikohet një përmbajtje që pretendon se nga data 1 korrik 2024, Qeveria do të rrisë pensionet. Ky pretendim përmes një mbishkrimi me anë të një vegëze në formë imazhi, që mban emblemën e Qeverisë së Kosovës, u publikua (10 korrik) në Facebook nga faqja që mban emrin “Blue sky”. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar, që do ta mbështeste pretendimin e bërë nga faqja e lartcekur. Duke u bazuar në kërkimin e bërë përmes Google, ditët e fundit ishin publikuar artikuj në lidhje me rritjen e pensioneve në Shqipëri nga muaji tetor. (këtu)

Dezinformatë

Një video-material që shfaq disa persona pranë kompjuterëve të lidhur me shumë telefona, u publikua nga faqja me përmbajtje në gjuhën shqipe “Audionur” në Facebook. Kjo faqe, kësaj përmbajtje i ka vënë mbishkrimin “Ja qysh funksionon “Grupi i Kryqit Deqanit” – Pse ka shume komente dhe fyerje ne videot e hoxhallareve?! Kjo eshte Metoda si funskionojn ata Robota te Pashpirt!” Pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se ky video-material qarkullon në internet që nga data 29 qershor dhe se bazuar në përshkrimin e saj, thuhet se paraqet një grup kinezësh duke manipuluar me vota në internet. (këtu)

Është pretenduar për publikimin e një sondazhi për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë. “Sondazhi i fundit për zgjedhjet nacionale” mban përshkrimi që faqja “Drejt News” në Facebook i ka vënë një fotografie në të cilën shihen kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, si dhe përqindjet që pretendohet t’i kenë partitë e tyre. Aty pretendohet se në sondazh, VV-ja ka 33.9 për qind e LDK-ja 25.6. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se nuk bëhet fjalë për ndonjë publikim të ri e se shifrat janë marrë nga një sondazh për të cilin kishte raportuar mediumi në gjuhën shqipe “nacionale.com” para gati dy vjetësh. (këtu)

“Ushtria kosovare ka hyrë sot në veri të Mitrovicës, lufta është afër”, është mbishkrimi në gjuhën serbe i publikuar me një video, në të cilën shihen pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo përmbajtje u publikua me datë 23 qershor 2024 nga llogaria në gjuhën serbe “crnahronikaba1” në TikTok. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se videoja është e vjetër (23 qershor 2023) dhe se e njëjta është realizuar në Mitrovicën e Jugut. (këtu)

Clickbait

Në një titull të publikuar në Facebook të hënën (8 korrik) është pretenduar si punë e kryer se ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është zgjedhur emisar i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi. “DIALOGU KOSOVE-SERBI NE DUART E BAROT PAHOR CAKTOHET NJE LOJTAR I RI PER BALLKANIN”, mban mbishkrimi në një fotografi të publikuar nga faqja “Ntv Televizion” në Facebook. Klikimi në të çon në artikullin e “ntv.al” me titull “Dialogu në duart e Pahor/ Një ‘Lojtar i Ri’ për Ballkanin Perëndimor”. Deri në momentin e trajtimit të kësaj përmbajtjeje, Borut Pahor nuk është zgjedhur përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë – Beograd. Madje këtë e konfirmon edhe vetë përmbajtja e artikullit të “ntv.al”. Artikulli ka marrë për bazë një intervistë të Pahorit dhënë për rrjetin e lajmeve “N1”. Aty ish-presidenti slloven ka thënë se ka pasur takim me emisarin aktual, Miroslav Lajçak, dhe se në takim diplomati sllovak e ka pyetur nëse do të konsideronte të bëhej emisar, po që se i jepet mandati nga BE-ja. Pahor ka përsëritur se është i gatshëm ta marrë këtë detyrë, teksa ka shtuar se mund të jetë “ndryshues i lojës”. (këtu)

Publikohet një artikull me deklaratë të Richard Grenellit, ish-përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, në titullin e të cilit pretendohet se Grenell po ashtu, është zgjedhur si numri 2 në SHBA. Teksti me titullin “Richard Grenell zgjidhet numri 2 në SHBA: Janë bërë hapa të rëndësishëm në tërheqjen e Serbisë nga ndikimi i Rusisë” është publikuar (10 korrik) në portalin e televizionit “ntv.al”, faqja e të cilit në Facebook numëron më se 170 mijë ndjekës (shih këtu). Por, hibrid.info ka gjetur se nuk ka vendim zyrtar që e bën me ndonjë pozitë Grenellin, në administratën amerikane. (këtu)

Teori konspirative

U pretendua se djegia e disa automjeteve në Mitrovicë të Veriut është rezultat i trukeve të Policisë së Kosovës. Kjo përmbajtje u publikua në median sociale Telegram nga kanali në gjuhën serbe “КОРИДОР” (Koridor). Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin Verior, Veton Elshani, ka sqaruar se zjarri ka të ngjarë të ketë qenë i qëllimshëm, nuk ka të dyshuar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar. (këtu)

Ndalimi nga Policia e Kosovës i pesë të miturve serbë që vendosën afishe në Mitrovicën e Veriut, me fotografi të Stefan Nedelkoviqit, njërit prej paramilitarëve të vrarë serbë që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë, po paraqitet pa fakte si synim për dëbimin e rinisë serbe nga Kosova. Pretendimi u bë përmes llogarisë në gjuhën serbe “КОРИДОР” (Koridor) në rrjetin social Telegram. Përmbajtja e publikuar nga llogaria në Telegram nuk ofron fakte për ta mbështetur pretendimin se ndalimi i të miturve në Mitrovicën e Veriut ka të bëjë me dëbimin e rinisë serbe të Kosovës. Kjo përmbajtje është ndërlidhje e vazhduar e institucioneve të Serbisë të ngjarjeve në veri me narracionin e pa bazë për dëbim të serbëve të Kosovës. (këtu)

Publikohet përmbajtja që pretendon se është gjetur një statujë në një kishë, e ndërtuar në vitet 1600. Imazhi që tregon një burrë me kostum astronauti është publikuar në TikTok me 3 qershor, nga llogaria me emrin “fakte.konspirative”. Hibrid.info ka gjetur se këto statuja të astronautëve ekzistojnë në një katedrale në Spanjë dhe janë gdhendur në vitin 1992. (këtu)

Në mediat në gjuhën serbe është publikuar një artikull (11 korrik) me titull “FLAMURI SERB DIGJET NË MITROVICË TË KOSOVËS: Kurti edhe një herë mbjell frikë në popullin tonë në Kosovë”. Ngjarja e djegies së flamurit serb në Mitrovicën veriore, është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Mediat në gjuhën serbe e interpretojnë këtë ngjarje mbjellje frike për qytetarët serbë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. (këtu)

Gabim

“Rreth 8000 myslimanë të Kosovës” ishin vrarë në korrik të 1995-s në qytetin e Srebrenicës është pretendimi i publikuar nga mediumi në gjuhën ukrainase “unn.ua” të enjten (11 korrik). Ky medium ka pretenduar po ashtu se masakra është kryer nga paramilitarët serbë të Kosovës. “Sot është Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë: Përse kjo ngjarje është e rëndësishme për ukrainasit”, mban titullin artikulli në fjalë. Në artikullin e publikuar më 11 korrik, mediumi “unn.ua” duke raportuar për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës, ka përmendur Kosovën në vend të Bosnjë-Hercegovinës. (këtu)

Publikohet artikull informues që njofton për vdekjen e profesorit dhe poetit Nuhi Vinca. Teksti është publikuar me 10 korrik nga një portal në gjuhën shqipe me emrin “tetova1.mk”. Postimit të publikuar në këtë portal, i është bashkangjitur fotografia e profesorit Agim Vinca, i cili është vëllai i të ndjerit, me anë të së cilës është paraqitur lajmi. Nisur nga rëndësia që paraqet fotografia në tekstin gazetar pamja e parë e artikullit në fjalë, mund të ndikojë te lexuesit, që të njoftohen gabimisht. (këtu)

Share With Others

Translate »