info@hibrid.info
Sekretari i NATO-s nuk e ka kërcënuar ShBA-në me përjashtim nga aleanca
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është pretenduar se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përjashtim nga kjo aleancë nëse presidenti i zgjedhur Donald Trump “ia dorëzon Ukrainën Putinit”.

Pretendimi u bë nga llogaria “x65world” në TiktTok të dielën, 10 nëntor.

Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se ky pretendim është i rremë dhe për burim ka një kanal të dyshimtë në Telegram.

Si u gjet e vërteta?

“‘Nëse Trump ia dorëzon Ukrainën Putinit, atëherë Amerika do të përjashtohet nga Aleanca” – Mark Rutte-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s’”, është mbishkrimi që llogaria në fjalë ia ka vënë fotografisë në të cilën shihen Rutte dhe Donald Trump, fitues i zgjedhjeve presidenciale në ShBA, më 5 nëntor.


Publikimi ka marrë më shumë se 30 mijë shikime deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info. I njëjti ka edhe më shumë se 100 komente e gati 600 pëlqime. Ndër komentet ka edhe llogari që kanë vënë në dyshim përmbajtjen, e publikuesi ka thënë se burimin e ka nga rrjeti social X.

Duke e përdorur citatin e njëjtë në “Google”, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë asnjë burim kredibil në gjuhën shqipe.

Ndërsa kur është kërkuar në Google teksti i njëjtë, por në gjuhën angleze, hibrid.info ka gjetur se përmbajtja e njëjtë është publikuar në X (ish-Twitter) te llogaria “Leandro Romão”. Kjo llogari si burim ka përdorur dy fotografi në të cilat shihet një shkrim i ueb-faqes “nato.news-pravda.com”.

Kjo ueb-faqe e ka përdorur citatin e pretenduar të Ruttes si titull, ndërsa nuk ka dhënë asnjë detaj se ku është thënë apo kur.

Në fund, si burim i artikullit përmendet llogaria “Slavyangrad” në Telegram. Hibrid.info ka gjetur këtë kanal të Telegramit dhe pretendimi del të jetë i njëjti, por sërish pa asnjë burim se ku mund të jetë thënë apo kur.

Duke përdorur makinat online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur një hulumtim të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si Rusia i përhap lajmet e rreme në Ballkan. Të gjitha faqet e dyshimta të internetit që ishin hasur në këtë hulumtim të muajit shtator, kishin të njëjtën strukturë e madje edhe emër: “pravda” ose “e vërteta”. Shumica e përmbajtjeve dalin të jenë marrë nga kanalet në Telegram, pro-Kremlinit. Publikimet në kanalin në Telegram dhe ripublikimi i tyre më pas në uebfaqet e “Pravda”-s vonon nga 3 deri në 12 minuta. (Detajet)

E “Slavyangrad”, që ishte burim i publikimit në fjalë, është përmendur në një rast tjetër si kanal pro-Kremlin edhe nga “atlanticcouncil.org”.


Çka ka thënë Rutte për zgjedhjen e Trumpit?

“Sapo e përgëzova Donald Trump për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara. Udhëheqja e tij do të jetë përsëri çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes fuqisë përmes NATO-s”, shkroi Rutte në X. (këtu)


Analiza:

Përmes një postimi në gjuhën shqipe në TikTok u pretendua se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka kërcënuar ShBA-në me përjashtim nga kjo aleancë nëse presidenti i zgjedhur Donald Trump “ia dorëzon Ukrainën Putinit”.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë dhe është gjetur i publikuar nga një llogari pro-Kremlinit në Telegram.

Rutte në llogarinë e tij në X ka uruar presidentin Trump, duke shtuar se pret të punojë përsëri me të për të avancuar paqen përmes NATO-s.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »