info@hibrid.info
S’ka asnjë fakt që Lushtaku do të jetë kandidat për president
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Zyrtare: Sami Lushtaku do te zyrtarizohet si kandidat per President te Kosoves, nese fiton PDK”, është pretendimi i publikuar në TikTok më 20 nëntor nga llogaria “faktehistorikeshqip”.

Ky pretendim është vendosur si mbishkrim në një fotografi në të cilën shihen kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza, dhe anëtarii i Këshillit Drejtues të PDK-së, Sami Lushtaku, nga tubimi i partisë në Skenderaj, më 15 nëntor.

E vërteta?

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka përmendur emrin e Lushtakut si opsion për kandidat për president të Kosovës. Një pretendim i tillë nuk mund të gjendet as në ndonjë artikull të ndonjë mediumi kredibil.


Edhe po që se kërkohet në motorin online të kërkimit “Google” me fjalët kyçe “Sami Lushtaku, kandidat për president” nuk del asnjë artikull me përmbajtje të tillë.

Hibrid.info po ashtu ka verifikuar llogaritë zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzës dhe Sami Lushtakut në Facebook. Në asnjërën prej tyre nuk ka gjetur pretendimin e publikuar në TikTok. Lushtaku, që është nënkryetar i Komunës së Skenderajt, ka njoftuar për tubimin në Facebook, po më 15 nëntor. Megjithatë, as aty nuk përmendet një çështje për kandidatura për president.

Postim ka bërë edhe Hamza, që nuk ka përmendur ndonjë çështje që lidhet me pretendimin në TikTok. Ky postim u përdor edhe në një njoftim për media nga PDK-ja.


Si zgjidhet presidenti në Kosovë?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Republikës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Për t’u nominuar si kandidat për president, kandidati/ja duhet t’i sigurojë të paktën nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Kosovës.

Aktualisht presidente e Kosovës është Vjosa Osmani. Ajo u zgjodh presidente më 4 prill 2021. Mandati i Presidentit është pesë vjet.


Analiza:

Nëpërmjet një publikimi në TikTok, llogaria “faktehistorikeshqip” ka pretenduar se zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, është emri i zgjedhur për të qenë kandidat për president të Kosovës, nëse kjo parti i fiton zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Por për këtë pretendim nuk është ofruar asnjë fakt. Një pretendim i tillë nuk është gjetur në asnjë publikim kredibil.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »