[email protected]
Sondazhi i partive britanike paraqitet rrejshëm si i partive të Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh, me pretendimin se shfaq një sondazh të realizuar nga kompania amerikane “FiveThirtyEight” sa i përket përkrahjes qytetare ndaj subjekteve politike në Kosovë.

Në përmbajtje thuhet se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) prin me 27% të përkrahjes qytetare, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 22%, duke vazhduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, me nga 15% respektivisht 9% të mbështetjes qytetare.

Ky material është publikuar dje (10 shtator) në TikTok nga llogaria me emrin “mentoralbodollar”

Por, ku është problemi me këtë sondazh?

Hibrid.info ka gjetur se publikuesi ka marrë fotografinë e një sondazhi të realizuar në Britaninë e Madhe, të cilit ia ka ndryshuar të dhënat, për ta paraqitur si sondazh në Kosovë.


Vegëza e imazhit të publikuar në TikTok nga llogaria “mentoralbodollar”:

https://archive.is/UZSyx


Pas hulumtimit me anë të programit të automatizuar të kërkimit “InVID”, hibrid.info e ka gjetur një artikull të publikuar në vitin 2019 në mediumin britanik, “dailymail.co.uk” (shih këtu).

Artikulli raporton për një sondazh të partive britanike për zgjedhjet evropiane, të realizuar nga një kompani me emrin YouGov.

Brenda këtij artikullit është hasur edhe fotografia e të dhënave të këtij sondazhit, të dhënat e të cilit janë të njëjta me përmbajtjen e trajtuar. Përveç të dhënave të njëjta, në të dyja vërehet në sfond fotografia e Nigel Farage, liderit të Partisë Brexit (shih këtu).

Fotografitë krahasuese


Hibrid.info ka kontrolluar edhe në ueb-faqen e kompanisë amerikane, e cila përmendet në pretendim “FiveThirtyEight’. Në të dhënat e fundit të shfaqura, tregohen rezultate vetëm në raport me zgjedhjet në ShBA (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se një sondazh i realizuar nga një kompani amerikane e vë PDK-në si partinë e parë me mbështetje qytetare në Kosovë, nuk qëndron.

Publikuesi ka paraqitur një sondazh të realizuar për zgjedhjet evropiane në Britaninë e Madhe, rezultatet e të cilit i ka manipuluar për t’i paraqitur si sondazh për partitë politike në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim” dhe “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »
1406