[email protected]
Thirrja për dorëzim të dokumentacionit të vilave në Ujman paraqitet si tentim i grabitjes së pronave të serbëve
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet termeve fyese u pretendua se autoritetet në Kosovë po tentojnë t’ua grabisin serbëve pronat e tyre në Ujman.

Ky pretendim u publikua dje (25 korrik) në median sociale Telegram nga kanali në gjuhën serbe “BUNKER”. Në këtë postim është publikuar si fotografi një letër nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i bërë nga llogaria “BUNKER”, është i pasaktë.

Letra nga MPB iu la 8 pronarëve të vilave në Ujman përmes së cilës bëhet thirrje për t’u paraqitur në stacion policor dhe për të dërguar dëshminë e pronësisë mbi pronën dhe sipërfaqen që përdorin, pasi dyshohet se ato janë ndërtuar në tokë publike.


Vegëza e postimit të publikuar në Telegram nga llogaria “BUNKER”:

https://archive.ph/o0PSt


Postimi origjinal i publikuar nga llogaria “BUNKER” në Telegram, i përkthyer në shqip:

Duket se terroristët shiptar po planifikojnë t’u grabisin serbëve shtëpitë e tyre pranë liqenit të Gazivodës

Në këtë postim, ky kanal ka përdorur termin fyes “shiptar”. Shih këtu se pse fjala ‘shiptar’ është politikisht jokorrekte dhe term ofendues.


Çka thuhet në letër?

I nderuar Zotëri/Zonjë, duhet të paraqiteni në stacionin policor në Zubin Potok brenda 7 ditëve dhe të sillni të gjithë dokumentacionin e vilës që keni në liqenin e Gazivodës.


Inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dje (25 korrik) kanë vizituar nëntë shtëpi në anën e djathtë të liqenit të Ujmanit. Në njërën prej tyre kanë gjetur një person i cili është intervistuar dhe kanë kërkuar dokumente, ndërsa në tetë vila të tjera nuk ka pasur persona. (shih këtu)

“Inspektorët dolën në terren dhe vizituan nëntë vila në anën e djathtë të liqenit të Gazivodës, të cilat dyshohet se janë ndërtuar në tokë publike. Në një ata gjetën një person, dhe në tetë nuk kishte asnjë. Nuk e dimë nëse ky person ka pasur dokumentacionin e duhur për pronësinë e tokës, por vetëm për tetë të tjerët u janë dërguar ftesa personave të përmendur për dokumentimin e pronësisë”, tha zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Veri, Veton Elshani, raporton GazetaExpress.com.

Si rregull, thotë ai, duhet t’i çojnë dokumentet në Prishtinë, por është bërë koncesion që brenda shtatë ditëve t’i sjellin dokumentet në Stacionin Policor në Zubin Potok.


Analiza:

Një llogari në gjuhën serbe në Telegram pretendoi se autoritetet kosovare po tentojnë t’ua grabisin serbëve pronat e tyre në Ujman. I gjithë postimi u bë nëpërmjet termeve fyese.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info vërtetoi se pretendimi i bërë, është i pasaktë.

Në letrën e lënë nga MPB, bëhet thirrje që pronarët e vilave duhet të paraqiten në stacionin policor në Zubin Potok brenda 7 ditëve dhe të sjellin të gjithë dokumentacionin e vilave që posedojnë në liqenin e Ujmanit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë në Telegram si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »