[email protected]
Titull çorientues, Pahor nuk është emëruar emisar për dialogun
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Në një titull të publikuar në Facebook të hënën (8 korrik) është pretenduar si punë e kryer se ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është zgjedhur emisar i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi.

“DIALOGU KOSOVE-SERBI NE DUART E BAROT PAHOR CAKTOHET NJE LOJTAR I RI PER BALLKANIN”, mban mbishkrimi në një fotografi të publikuar nga faqja “Ntv Televizion” në Facebook.

Klikimi në të çon në artikullin e “ntv.al” me titull “Dialogu në duart e Pahor/ Një ‘Lojtar i Ri’ për Ballkanin Perëndimor”.

Çka nuk shkon me këtë publikim në Facebook?

Deri në momentin e trajtimit të kësaj përmbajtjeje, Borut Pahor nuk është zgjedhur përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë – Beograd. Madje këtë e konfirmon edhe vetë përmbajtja e artikullit të “ntv.al”.

Artikulli ka marrë për bazë një intervistë të Pahorit dhënë për rrjetin e lajmeve “N1”. Aty ish-presidenti slloven ka thënë se ka pasur takim me emisarin aktual, Miroslav Lajçak, dhe se në takim diplomati sllovak e ka pyetur nëse do të konsideronte të bëhej emisar, po që se i jepet mandati nga BE-ja.

Pahor ka përsëritur se është i gatshëm ta marrë këtë detyrë, teksa ka shtuar se mund të jetë “ndryshues i lojës”.


Vegëza e publikimit të “Ntv Televizion” në Facebook:

https://archive.is/uPdvN


Pjesë nga artikulli i “ntv.al” (shih këtu të plotë):

Ish-Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se, duke pas parasysh përvojën e gjatë politike që ka, mund ta ndryshojë “lojën” në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili aktualisht është në ngërç total.

Pahor ka një kohë që e ka shpallur kandidaturën për të marrë pozitën e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke zëvendësuar kështu Miroslav Lajçak-un, të cilit së shpejti i përfundon mandati. Madje, për këtë, Pahor ka treguar se është ftuar në mars nga Lajçak në Bruksel, i cili, pohon, se e ka pyetur nëse do të ishte i gatshëm ta konsideronte vazhdimin e punës së tij në rast se do t’i jepej mandati nga Unioni.


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian është emisar i BE-së me detyrë specifike jashtë. Ai i përgjigjet direkt Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Aktualisht janë dhjetë emisarë të BE-së (Shih këtu). Emisari aktual, Miroslav Lajçak ishte emëruar në këtë detyrë nga Këshilli i BE-së dhe Përfaqësuesi i Lartë si përfaqësues special për dialogun dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, në prill të 2020-s (shih këtu). Lajçakut, siç është raportuar, ka dakordim në Bashkimin Evropian që t’i zgjatet mandati deri në janar të vitit 2025. Ky pajtim u arrit disa muaj pasi Lajçaku ishte emëruar si ambasador i BE-së në Zvicër, ku ishte dashur të niste punën më 1 shtator. Siç ka shkruar “Radio Evropa e Lirë”, emërimi i pasardhësit të Lajçakut tani ndërlidhet direkt me procedurën për emërimin e udhëheqësve të rinj në institucionet e BE-së. Për të marrë postin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, është nominuar kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.


Analiza:

Nëpërmjet një publikimi në Facebook, faqja e mediumit në gjuhën shqipe “ntv.al”, ka përdorur titull çorientues duke e paraqitur si punë të kryer se ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është zgjedhur emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Në artikullin e vetë mediumit, dhe në deklaratën e fundit, Pahori ka përsëritur gatishmërinë që të jetë emisar i BE-së për dialogun. Megjithatë, ende nuk ka vendim për emërimin e tij.

Pas analizës së kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, ky publikim vlerësohet si “clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »