[email protected]
Titull dezinformues, deklarata e ambasadorit rus paraqitet si fakt i kryer
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Ushtria Serbe kthehet në Kosovë”, mban titullin një kronikë televizive e publikuar nga mediumi në gjuhën shqipe “NTV”, e që është shpërndarë në llogarinë “ntvtelevizion” në TikTok.

Publikimi u bë më 2 nëntor dhe deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka grumbulluar mbi 50 mijë shikime e gati 800 pëlqime e afro 170 komente.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Fillimisht, titulli nuk përshtatet me përmbajtjen e kronikës. Mënyra e shkruar nënkupton se bëhet fjalë për kohë të tashme dhe titulli paraqitet si fakt i kryer (mënyra dëftore, koha e tashme), por se kjo demantohet nga faktet e gjetura prej hibrid.info.


Përmbajtja

Në përmbajtjen e kronikës televizive, bëhet e ditur se artikulli ka marrë për bazë një deklaratë të ambasadorit rus Vasily Nebenzya në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që tha se Serbia e kërkon rikthimin e një mijë ushtarëve dhe policëve në territorin e Kosovës.

“Serbia do të kërkojë sërish kthimin e ushtrisë së saj në Kosovë, dhe për këtë ka mbështetjen e fortë të Rusisë. Gjatë këshillit të sigurimit të OKB, të mërkurën, ambasadori rus Vasili Nebenzia, pohoi se Serbia do kërkojë rikthimin e rreth 1 mijë ushtarëve e policëve. “Ne besojmë se është e justifikuar që Beogradi planifikon të kërkojë edhe një herë kthimin në Kosovë të  1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së”, tha Nebenzia”, thuhet në hyrje të kronikës televizive.

Kronika del të jetë me përmbajtje të njëjtë sikur shkrimi i mediumit tjetër në gjuhën shqipe “a2news.com”, i datës 31 tetor. Ky medium megjithatë ka pasur titull tjetër.


Hibrid.info ka kërkuar edhe në motorin e kërkimeve “google.com” me fjalët kyçe “Ushtria e Serbisë kthehet në Kosovë”. Nuk paraqitet asnjë informacion kredibil që mund ta mbështesë këtë pretendim.

Përmbajtja e njëjtë është publikuar edhe në kanalin “NTV Televizion” në YouTube, por me titull tjetër: “USHTRIA SERBE NE KOSOVE?/ Rusia vendos KUSHT të RI”.


Historik:

Në dhjetor të vitit 2022, Serbia i dërgoi një kërkesë KFOR-it, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, për kthimin e deri 1000 ushtarëve dhe policëve të saj. Kjo kërkesë ishte bërë, siç thanë autoritetet në Beograd, për shkak të pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Beogradi i ishte referuar Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i e refuzoi këtë kërkesë në fillim të janarit (burimi: Radio Evropa e Lirë).


Analiza:

Pretendimi “Ushtria Serbe kthehet në Kosovë”, i publikuar në llogarinë “ntvtelevizion” në TikTok, nuk është i saktë.

Bëhet fjalë për kronikë televizive që lidhet me Kosovën, që për bazë ka marrë deklaratën e ambasadorit rus në OKB, dhe jo faktet.

Pos titullit që nuk përkon me përmbajtjen e kronikës,  edhe kërkimet manuale në internet tregojnë se Ushtria e Serbisë nuk është kthyer në Kosovë.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »