Portali informativ në gjuhën shqipe që mban emrin “sot.com.al” ka publikuar sot (17 nëntor) një artikull me titull “Ngjarje e rëndë/ Vritet gazetari i njohur, gjendet i pajetë brenda makinës, dyshohet se…”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, i cili nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje.
Lajmi bëhet i qartë vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit ku thuhet se “Një fotoreporter meksikan u vra të enjten nga një person i armatosur në Ciudad Juarez, në veri të Meksikës, në kufirin me SHBA, sipas autoriteteve lokale.”.
Nisur nga fakti që ky portal informativ është i regjistruar në Shqipëri (shih këtu) dhe përmbajtjet e publikuara nga ky portal janë në gjuhën shqipe, titulli në fjalë, lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në një nga hapësirat shqip-folëse.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “sot.com.al”:
Hibrid.info ka gjetur të publikuar artikullin në mediat e huaja që konfirmojnë se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Meksikë (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Mediumi në gjuhën shqipe “sot.com.al” ka publikuar një artikull për vrasjen e një gazetari në Meksikë, por që përmes titullit nuk tregohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja.
Mos qartësimi i vendndodhjes së ngjarjes në titull nga mediumi në fjalë i shkruar në gjuhën shqipe dhe i regjistruar në Shqipëri, mund të qojë deri te dezinformimi i lexuesve, duke lënë hapësirë të nënkuptohet se vrasja ka ndodhur në një nga hapësirat shqip-folëse.
Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.