Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar dje (6 shtator) një artikull me titull “39 vjeçari vdes pasi përplasi kokën në trotuar”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një 39 vjeçar humbi jetën në Prato të Italisë teksa u rrëzua përtokë dhe goditi kokën në një bordurë pas një sherri me bashkëshorten 34 vjeçare”.
Pasi që ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “Kosova Sot”:
Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar nga mediumi italian “Italy 24 News, i cili ka raportuar në lidhje me këtë ngjarje. (shih këtu)
Analiza:
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me vdekjen e një personi në Itali, por që në titullin e artikullit nuk është specifikuar vendndodhja e ngjarjes.
Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mos-saktësimi se ku ka ndodhë ngjarja në titull, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.