Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (24 prill) një artikull me titull “Arrestohet deputeti i njohur”.
Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në këtë përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, pra nuk e tregon se për deputetin e cilit shtet bëhet fjalë.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një deputet jordanez është arrestuar nga autoritetet në Izrael teksa po përpiqej të fuste në mënyrë të paligjshme në territorin e Bregut Perëndimor një sasi armësh,”.
Duke pas parasysh se ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se arrestimi i ministres ka ndodhur në vendin tonë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se lajmi ka të bëjë me arrestimin e deputetit jordanez në Izrael, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në disa mediume të huaja. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me arrestimin e një deputeti jordanez në Izrael, por në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja.
Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se arrestimi i deputetit ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.