Artikulli me titull “Goditet me thikë në gjoks qytetari për një celular dhe 20 euro” është publikuar dje (8 shkurt) nga portali informativ “Kosova-sot.info”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se, titulli është përgjithësues që nuk sqaron vendndodhjen e ngjarjes.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Arturo Luca Battisti, 46-vjeçari nga Milano, u godit me thikë jashtë stacionit Termini të Romës gjatë një grabitje të dielën në mbrëmje”.
Duke ditur se portali i lartcekur është i regjistruar në Kosovë (këtu) dhe shumicen e audiencës i ka nga Kosova (këtu), me vendosjen e titullit, lë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me shtetin ku vepron ky medium, pra Kosovën.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se kjo ngjarje ka ndodhur në Itali, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në disa mediume italiane. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një person që është goditur me thikë në stacionin e trenit “Termini” në Romë.
Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës,hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.