Shkroi: Fatbardh Dema
Pretendohet pa fakte se Kosova ka pranuar nga Turqia edhe 62 automjete ushtarake “BMC Vuran”.
Ky pretendim u publikua dje (20 gusht) në TikTok nga llogaria “fskkosova2024”.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i tillë i publikuar nga burime kredibile. Gjithashtu, video-materiali i përdorur në këtë rast është i vitit 2021.
Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “fskkosova2024”:
Hibrid.info, duke përdorur programin e automatizuar “InVID”, ka arritur të gjejë video-materialin e njëjtë, i publikuar më 2 nëntor 2021 nga llogaria në gjuhën turke “beratunal060”. (shih këtu)
Në automjetin ushtarak “BMC Vuran” që shfaqet në video, shihet edhe një logo. Hibrid.info ka arritur ta verifikojë të njëjtën, e që rezultatet tregojnë që logoja i përket Njësisë Speciale të Policisë së Turqisë (këtu). (shih fotografinë më poshtë)
Në korrik të 2021-ës, “evropaelire.org” pati shkruar në burime se Kosova ka nënshkruar kontratën me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara të tipeve “Vuran” dhe “KIRPI”. (shih këtu)
Analiza:
Nëpërmjet një postimi në TikTok, llogaria “fskkosova2024” ka pretenduar rrejshëm se Turqia i ka dhuruar Kosovës 62 automjete ushtarake “BMC Vuran”.
Për më shumë, postimi përmban video të vjetër (2021) dhe në automjet gjendet logoja e Njësisë Speciale të Policisë turke.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.