[email protected]
Vazhdon publikimi i sondazhit të vjetër, por duke ia ndryshuar rezultatin
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në një postim të bërë në TikTok pretendohet se është publikuar një sondazh i ri në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Publikimi është bërë nga llogaria me emrin “mentoralbodollar”.

Në mbishkrimin e këtij publikimi thuhet se ky sondazh është kryer nga një kompani amerikane dhe se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) prin si e para me 35.5%.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se ky publikim përdor të dhëna të një sondazhi të vjetër dhe se në postimin e bërë sot nga llogaria “mentoralbodollar”, janë ndërruar emrat e partive politike që prijnë në sondazh.


Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “mentoralbodollar”:

https://www.tiktok.com/@mentoralbodollar/photo/7408047582166945056


Cili është manipulimi me këtë sondazh?

Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se në publikim janë përdorur të dhëna të një hulumtimi të publikuar në dhjetor të vitit 2022, nga Instituti “PIPOS” në emisionin “Rubikon” në KlanKosova (shih këtu).

Në rezultatet e publikuara atëkohë nga “PIPOS”, printe Lëvizja Vetëvendosje (VV) me 35.5%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte e dyta me 22.2% dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte e treta me 21.5%.

Pra, në publikimin e bërë në TikTok nga llogaria “mentoralbdollar” është ndërruar renditja e partive në listë. Në vend të parë është vendosur PDK-ja me 35.5%, VV-ja në të dytin (22.2%) e LDK-ja në të tretin (21.5%).


Ky sondazh i manipuluar ishte publikuar edhe me 22 shkurt të këtij viti nga një llogari tjetër në TikTok, e që po ashtu ishte verifikuar nga hibrid.info (shih këtu)


Analiza:

Llogaria me emrin “mentoralbdollar” në TikTok ka pretenduar për publikimin e një sondazhi të ri lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke shtuar se i njëjti është realizuar nga një “kompani amerikane”.

Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se nuk bëhet fjalë për sondazh të ri. Në këtë publikim janë marrë të dhëna nga një sondazh i vjetër, i realizuar nga Instituti “PIPOS” në Kosovë, të cilit i janë bërë manipulime duke e ndryshuar renditjen e partive në listë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim” dhe “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »