Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh me mbishkrimin, “Nga sot nis faturimi i energjisë për 15% më shtrenjtë”.
Ky imazh është publikuar në faqen në Facebook të mediumit “indeksonline.net”, dhe ka të bashkangjitur në koment artikullin me po të njëjtin titull.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se vendimi për rritjen e çmimit të rrymës nuk është marrë ende.

Hibrid.info ka gjetur artikuj të tjerë të publikuar në mediat në gjuhën shqipe, ku tregohet se vendimi për çmimin e rrymës merret me 11 prill (shih këtu dhe këtu).
Për këtë informatë, këto media i janë referuar deklaratave të Ymer Fejzullahut, kryetarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Në ndërkohë, mediumi që ka publikuar këtë pretendim, Indeksonline, e ka fshirë artikullin nga faqja e portalit, sikurse edhe fotolajmin në faqen e tij në Facebook.
Deklarata e Ymer Fejzullahut nga artikujt:
“Jo, ende nuk është marrë vendimi. Në fuqi mbesin tarifat ekzistuese. Vendimi pritet të merret më 11 prill. Varësisht se si vendos bordi, ato mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji, kur është edhe periudha e faturimit, pasi që s’ka kuptim që kjo të bëhet në gjysmë të muajit”.
Analiza:
Pretendimi se nga sot (1 prill) ka nisur faturimi i energjisë elektrike per 15% më shtrenjtë nuk është i saktë.
Hibrid.info ka gjetur se faturimi i energjisë mund të nisë nga 1 prilli, por vendimi për shtrenjtimin ose të jo të çmimit të rrymës do të merret më 11 prill.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.