Shkroi: Lyra Vula
Një video-material që shfaq disa të rinj nga Vlora duke valëvitur flamurin shqiptar është publikuar në Instagram dhe Facebook.
Video u publikua më 14 nëntor nga faqja “JOQ Albania” në Facebook dhe Instagram. Përmes përshkrimit, pretendohet se kjo ndodhi në Beograd, duke e paraqitur si një akt të guximshëm dhe simbolik në zemër të kryeqytetit serb.

E vërteta?
Por, pas këtyre pamjeve, qëndron një e vërtetë krejt ndryshe. Pas verifikimit të imazheve përmes mjeteve verifikuese, del se kjo video nuk është bërë në Beograd.
Një analizë e thjeshtë me mjetin Google Lens tregon se ndërtesa e shfaqur në sfond nuk është në Beograd, por në Budapest, kryeqyteti i Hungarisë. Google Lens, një mjet që lejon identifikimin e objekteve dhe vendndodhjeve përmes imazheve, është përdorur për të analizuar imazhet nga video incizimi. Ky mjet që punon duke krahasuar elementet vizuale të një fotografie me një bazë të dhënash globale, mundëson kështu gjetjen e vendndodhjes së saktë ose burimit origjinal të një imazhi.

Në këtë rast, analizimi me Google Lens tregon qartë se ndërtesa që shihet në video është Ambasada e Serbisë në Budapest. Struktura, stili arkitekturor dhe elementet përreth ndërtesës përputhen plotësisht me fotografinë e Ambasadës së Serbisë, e cila mund të identifikohet edhe përmes platformave të tjera si Google Maps. Në këto platforma, imazhet e vendndodhjes ofrojnë një këndvështrim të ngjashëm, duke përforcuar përfundimin se video nuk është bërë në Beograd.

Për ta konfirmuar më tej këtë, burime të tjera si Dreamstime dhe Mapy.cz ofrojnë imazhe të qarta dhe të verifikuara të ndërtesës. Dreamstime, një platformë për fotografi të licencuara, ka një imazh të identifikueshëm të Ambasadës së Serbisë në Budapest, të marrë nga një kënd i ngjashëm me atë të përdorur në postimin origjinal.

Po ashtu, Mapy.cz, një hartë interaktive, tregon vendndodhjen ekzakte të ndërtesës dhe ambientin përreth saj.

Një diskutim i gjerë në platformën Reddit, në nënforumin r/geoguessr, gjithashtu i referohet kësaj ndërtese, duke e identifikuar si pjesë e qytetit të Budapestit dhe jo të Beogradit. Në këto diskutime, përdoruesit ndajnë detaje të sakta mbi elementet që bëjnë të mundur dallimin e lokacioneve, si tabela e emrit të ambasadës dhe mjedisi përreth që është unik për zonën e Budapestit.

Analiza:
Me datën 14 nëntor 2024, faqet “JOQ Albania” në Instagram dhe Facebook kanë publikuar disa pamje të disa personave me flamurin shqiptar, ku u pretendua se këta persona po valëvisnin flamurin shqiptar në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd. Por, pas verifikimit të fakteve del se ky pretendim është i pasaktë. Videoja nuk është realizuar në Beograd, por afër ndërtesës së Ambasadës së Serbisë në Budapest.
Manipulimi qëndron në përdorimin e një video incizimi autentik, por të nxjerrë nga konteksti dhe të prezantuar me një histori ndryshe. Për ata që nuk janë të familjarizuar me vendndodhjen specifike të ndërtesës, ky pretendim duket i besueshëm. Një detaj i tillë është një shembull i qartë se si një pamje mund të përdoret për të përhapur një mesazh të caktuar, edhe kur ai nuk përputhet me realitetin.
Bazuar në metodologjinë e Hibrid.info dhe analizën e detajuar të këtij rasti, publikimi përmbajtja vlerësohet si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.
Ky artikull është përgatitur si pjesë e projektit ‘Kundër Dezinformimit përmes Inovacionit dhe Mësimit Eksperimental’, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Artikulli është verifikuar nga ekipi i Hibrid.info dhe ekspertët e angazhuar për të siguruar përputhjen me metodologjinë tonë për verifikimin e fakteve. Ky artikull përmban verifikime të mirëfillta, por nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Hibrid.info apo të Ambasadës së SHBA-së.