info@hibrid.info
Vuçiq nuk ka falenderuar LDK-në që mbështeti Serbinë për afrim me ShBA-në
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh ku shihet Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë me mbi shkrimin që pretendon se ka falenderuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për ndihmën dhënë Serbisë në afrimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), duke deklaruar se “LDK është parti qe e kemi formuar ne në Beograd”.

Kjo përmbajtje të cilës i është bashkangjitur edhe një vegëz e nje video-materiali nga llogaria e presidenti serb në Instagram, nga ku është shkëputur imazhi, është publikuar në Facebook me 11 nëntor nga një llogari me emrin “Lule Gjeli”.

Por, cila është e vërteta?

Gjetjet e hibrid.info nuk vërtetojnë pretendimin nga kjo përmbajtje.


Pas verifikimit të videos së Vuçiq në Instagram, nga përshkrimi vendosur përmbajtjes, e cila është përkthyer nga serbishtja në shqip, kuptohet se kemi të bëjmë me një komunikim të presidentit serb, ku ka njoftuar se ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e sapo zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump.

Mbishkrimi i përkthyer në shqip i videos së publikuar nga presidenti serb Vuçiq në Instagram:

“Një bisedë e shkëlqyer me presidentin e sapozgjedhur të ShBA-së, Donald Trump. I përzemërt dhe kuptimplotë. Unë besoj në një partneritet më të fortë me ShBA-në nën udhëheqjen e Presidentit Trump”


Pas kërkimit manual hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar në portalin e televizionit publik të Serbisë, “rts.rs”, ku është njoftuar më gjerësisht për atë që tha Vuçiq në këtë video.

Nga ky artikull, vërtetohet se presidenti serb nuk e ka përmendur LDK-në në video-mesazhin e tij.

Citatet e drejtëpërdrejta dhe të përfoluar të presidentit Vuçiq nga artikulli i publikuar në “rts.rs” të përkthyera në shqip:

Ai i është mirënjohës presidentit Trump, sepse, siç thotë ai, Trump e njihte shumë mirë Serbinë.

“Nuk do ta besoni, ai madje ka folur edhe për sukseset sportive të kombit tonë, të vendit tonë”

Ai shfrytëzoi rastin, dhe shprehu dëshirën për të përmirësuar më tej marrëdhëniet në të gjitha sferat e jetës shoqërore, duke shprehur shpresën se Donald Trump do ta vizitojë Serbinë, sepse Serbia ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e tij ishte më e larta në të gjithë Evropën.

“Dhe Presidenti Trump më falënderoi për mbështetjen e madhe që mori nga qytetarët e Serbisë, nga populli serb”

Ai (Vuçiq) beson se në periudhën e ardhshme do të mund të diskutojmë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona në të gjitha fushat.

“Jam i sigurt se do ta bëjmë, me mbështetjen e miqve tanë, dhe me miqtë, nënkuptoj të gjithë mjedisin e Presidentit Trump që ishin me të sonte gjatë bisedës, në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë Amerikën të madhe dhe që ne do të jetë në gjendje ta bëjë Serbinë një vend të denjë dhe një vend që do të jetë në gjendje të bashkëpunojë mirë, shumë mirë me SHBA-në”


Hibrid.info, po ashtu ka hulumtuar me anë kërkimit manual përmes motorit online të kërkimit, “Google”, për deklarata të mundshme të presidentit Vuçiq për subjektin e dytë politik opozitar në Kosovë, por nga rezultatet pas kërkimit nuk shfaqen të tilla që faktojnë se presidenti serb të ketë deklaruar ngjashëm me atë që pretendohet në materialin e trajtuar.


Analiza:

Pretendimi se presidenti i Serbisë ka falenderuar LDK-në për ndihmën dhënë Serbisë në afrimin me ShBA-në duke deklaruar se ky subjekt është formuar në Beograd, është i pasaktë.

Hibrid.info ka gjetur se Vuçiq ka njoftuar për bisedën telefonike të realizuar me presidenti e sapo zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe se nuk ka përmendur LDK-në, në videon e referuar në përmbajtjen e trajtuar.

Presidenti serb as në të kaluarën nuk ka deklaruar pretendime të ngjashme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »