Portali informativ “Botasot.info” ka publikuar dje (29 tetor) një artikull me titull “Tronditëse/ Qëllohet për vdekje mjeku i njohur në zyrën e tij, dyshohet se…”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, pasi nuk qartëson vendndodhjen e ngjarjes.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Favara të Sicilisë (Itali).
Duke e ditur se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), një titull i tillë përgjithësues mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të hamendësojnë se vrasja e mjekut ka ndodhur në Kosovë.
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Botasot.info”:
Tronditëse/ Qëllohet për vdekje mjeku i njohur në zyrën e tij, dyshohet se…
Një mjek kardiolog është qëlluar për vdekje gjatë një debati me një person në zyrën e tij. Sipas medieve italiane mjeku po punonte në studion e tij në Favara, kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Autori i vrasjes, 47-vjeçari Adriano Vetro, u ndalua nga karabinierët, të cilët sekuestruan edhe armën e përdorur në krim.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Botasot.info”:
Për ta sqaruar edhe më shumë faktin se ngjarja ka ndodhur në Itali, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar lidhur me vrasjen e mjekut italian në mediumin “BlogSicilia.it”. (shih këtu)
Analiza:
Portali “Botasot.info” ka publikuar një artikull lidhur me vrasjen e një mjeku italian në Sicili. Megjithatë, në titull ky medium nuk e qartëson se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje.
Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.