info@hibrid.info
SHBA-të nuk kanë thënë se “do ta armatosim fuqishëm Kosovën”
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “Albasky.com” ka publikuar një artikull me titull “Amerika e konfirmon: ‘Do ta armatosim fuqishëm Kosovën!’”.

Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, dhe ka vërtetuar se titull është i sajuar, duke mos iu përgjigjur lajmit që gjendet në përmbajtje.

Në përmbajtje gjendet lajm i vjetër i publikuar në tetor të vitit 2021, atëkohë kur ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj pas vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte deklaruar se ka marrë mbështetje të fuqishme për Kosovën, nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

“Departamenti Amerikan i Mbrojtjes na ka konfirmuar fuqishëm përkrahjen për Kosovën si partner dhe eksportues për paqe në nivel global. Gjithashtu mora rikonfirmimin e plotë drejt integrimit euroatlantik si dhe ndërtimin e FSK-së në nivelin ushtarak”, ishte shprehur Mehaj.

Pra, nuk është e vërtetë që Amerika ka konfirmuar se do ta armatosë fuqishëm Kosovën, siç pretendohet rrejshëm në titullin e këtij artikulli.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “albasky.com”:

https://albasky.com/amerika-e-konfirmon-do-ta-armatosim-fuqishem-kosoven-2/?fbclid=IwAR0lPjRWunOwP1470J86brEcucnmLbfzO3MemMEmaRwBuI3sc2KggQ064Q8

Artikulli i publikuar në “albasky.com” është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “Gazeta Aktive”, e cila numëron mbi 90 mijë ndjekës. Ndërsa në këtë postim ka arritur të grumbullojë numër të madh të reagimeve dhe komenteve. (shih këtu)


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar në kohë reale (21 tetor 2021) në disa media online. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Portali i dyshimtë “albasky.com” ka publikuar një deklaratë të vjetër të ministrit të Mbrotjes, Armend Mehaj, i cili në tetor të vitit të kaluar kishte realizuar një vizitë në SHBA, ndërsa pas kësaj vizite kishte deklaruar se SHBA-të kanë rikonfirmuar mbështetjen në ndërtimin e FSK’së në nivelin ushtarak.

Por, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë këtë artikull si aktual, duke i vënë titull të sajuar “Amerika e konfirmon: ‘Do ta armatosim fuqishëm Kosovën”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »