Është publikuar një artikull i titulluar, “Skandal në Dubravë: Të burgosurit po presin deri në 10 ditë për t’u pastruar”.
ÇKA NUK SHKON ME KËTË ARTIKULL?
Lajmi është publikuar dje (7 maj), në portalin informativ “kosova-sot.info”, mirëpo hibrid.info ka gjetur se informata e publikuar vjen nga një deklaratë e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj, gjë e cila nuk specifikohet në titullin e këtij artikulli.
Vegëza e artikullit të publikuar nga portali informativ “kosova-sot.info”:
Këtë artikull, portali në fjalë e ka shpërndarë edhe në faqen e vet në Facebook (shih këtu).
Burimi i informacionit të pretenduar bëhet i qartë vetëm në kreun e artikullit, kur thuhet se: “Deputeti nga LDK Driton Selmanaj ka theksuar sot se ka dëgjuar se në Burgun e Dubravës, të burgosurve po u duhet të presin deri në 10 ditë për t’u pastruar”.
Mirëpo, ajo që vërehet nga deklarata e vetë Selmanajt, është se informata e dhënë nga ai nuk është e faktuar dhe e konfirmuar, pasi thotë se “dëgjova”. (shih këtu dhe këtu).
ÇKA THOTË ShKK-ja PËR KËTË PRETENDIM?
Ndërsa në të njëjtin artikull, hibrid.info ka kuptuar edhe qëndrimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), institucion i cili menaxhon me burgjet në Kosovë. Rrjedhimisht, ky institucion ka hedhur poshtë pretendimin e ngritur nga deputeti Selmanaj.
Deklarimi i SHKK-së në artikull:
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se pretendimet në fjalë nuk qëndrojnë. Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, si edhe në të gjitha institucionet korrektuese, pastrimi i të burgosurve kryhet dhe vazhdon të kryhet në përputhje me rutinat ditore”.
Analiza:
Pretendimi se të burgosurit në burgun e Dubravës po presin deri në 10 ditë për t’u pastruar, nuk është i bazuar në fakte, por në deklarata.
Ky pretendim vjen nga një deklaratë e deputetit Driton Selmanaj, por që kjo nuk saktësohet në titullin e artikullit të publikuar. Për më tepër, kjo deklaratë është demantuar edhe nga vetë SHKK-ja.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.