Shkroi: Fatbardh Dema
U pretendua se Kosova në vitin 2026 do të marrë dy helikopterë si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Materiali me këtë pretendim u publikua si video-material në TikTok nga llogaria “albinkurti_rks” me datë 2 qershor.
Cila është e vërteta rreth këtij pretendimi?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i pasaktë.
Video-materiali përmban audion e televizionit “Teve1”, që përmban deklaratë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili kishte deklaruar se në vitin 2026 Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të furnizohet me helikopterë.
Por, në asnjë rast nuk është përmendur se Kosova do të marrë dy helikopterë si donacion nga SHBA-të.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “albinkurti_rks”:
Ky video-material u publikua edhe në Facebook nga faqja “FSK Forca e Sigurisë së Kosovës”. (shih këtu)
Çka gjeti hibrid.info?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info është gjetur se materiali u publikua me datë 2 qershor nga televizioni “Teve1”, që përmban edhe deklaratën e ministrit Maqedonci.
Çka tha Maqedonci?
“Pas vitit 2025 do të kalojmë në fazën e tretë që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve mbështetëse ushtarake mes të tjerash edhe kapacitetet ajrore. Normalisht helikopterët është thënë edhe disa herë, janë pjesë e inventarit të paraparë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pra FSK do të ketë në dispozicion helikopterë, si për transport, gjithashtu për mbështetje luftarake por edhe për operacione të kërkim-shpëtimit dhe evakuimit mjekësor”, tha Maqedonci për “Teve1”. (shih këtu)
Pra, në asnjë rast ministri nuk ka deklaruar se SHBA-të do t’ia dhurojnë Kosovës dy helikopterë në vitin 2026, siç pretendohet rrejshëm në mbishkimin e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “albinkurti_rks”.
Analiza:
Pretendimi se në vitin 2026 Kosova do të pranojë donacion dy helikopterë nga SHBA-të është i rremë.
Në deklaratën e ministrin Maqedonci, e cila është përdorur në këtë video-material, nuk është përmendur një gjë e tillë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.