[email protected]
Deklaratë e pavërtetë e ministrit Murati se pagat në të kaluarën u rritën me vendime në kohë fushate zgjedhore
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

“Në vite të caktuara kishte pasur rritje të pagave në sektorin publik me vendime në kohë fushate zgjedhore”.

Ky pretendim u dha nga Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me anë të një statusi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, më 12 tetor.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka hulumtuar për vendimet për rritje pagash, gjatë qeverisjeve të kaluara dhe ka gjetur se asnjë nga to, nuk është marrë në kohë fushate zgjedhore, ashtu siç pretendon ministri Murati.

Analiza:

Hibrid.info ka trajtuar vetëm pretendimin në fjalë, pasi që pretendimet e tjera, pas verifikimit nga hibrid.info, kanë rezultuar të vërteta (shih këtu).

Pjesa e shkëputur nga statusi i Hekuran Muratit:

“Miti se me qeveritë e kaluara rriteshin pagat për të gjithë, bie përfundimisht. Përderisa është e vërtetë se në vite të caktuara kishte pasur rritje të pagave në sektorin publik me vendime në kohë fushate zgjedhore, të dhënat e dëshmojnë se kjo rritje ishte bërë në kurriz të sektorit privat. Kjo gjë shihet qartë në vitin 2014, kur pagat në sektorin publik ishin rritur me vendim qeveritar gjatë fushatës, mirëpo mesatarja në tërë ekonominë, përfshirë sektorin publik dhe privat, ishte rritur vetëm 4.4%.”


Sa zgjat periudha e fushatës?

Me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës të miratuar në vitin 2008, “Periudha e fushatës” do të thotë periudha prej tridhjetë (30) ditëve për fushatën zgjedhore të subjekteve politike e cila përfundon një (1) ditë para ditës së zgjedhjeve (shih këtu).

Ndërsa me Ligjin e ri, fushata përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve (shih këtu).


Duke qenë së ministri Murati, ka përmendur specifikisht vendimin për rritje pagash, në vitin 2014, duke pretenduar se është marrë në kohë fushate, hibrid.info me anë të makinave të kërkimit, ka verifikuar vërtetësinë e këtij pretendimi.

Hibrid.info ka gjetur se më 11 mars, 2014, është nënshkruar vendimi për rritjen e pagave për sektorin publik, nga Hashim Thaçi, kryeministër në atë kohë (shih këtu dhe këtu).

Më 7 maj të 2014, Kuvendi i Kosovës, kishte votuar për shpërbërjen e legjislaturës në atë kohë (këtu), gjë e cila kishte çuar drejt zgjedhjeve të parakohshme, që u caktuan të mbahen më 8 qershor, në atë vit, nga Atifete Jahjaga, ish-presidente e vendit (këtu).

Thaçi kishte vendosur për rritje pagash edhe në mandatin e parë qeverisës, më 6 janar 2011 (këtu), pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2010, të mbajtura më 12 dhjetor (këtu).

Gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, hibrid.info ka gjetur se e vetmja rritje pagash, ishte realizuar me anë të pagesës së përvojës së punës, që kishte filluar të zbatohej pas miratimit të buxhetit të vitit 2015 (shih këtu dhe këtu).

As Mustafa nuk arriti të përfundojë mandatin e plotë si kryeministër, pasi më 10 maj 2017, Kuvendi i Kosovës (këtu) u shpërbë, me vendin që shkoi në zgjedhje të parakohshme, pas datës (11 qershor 2017) së caktuar nga ish-presidenti Thaçi (këtu).

Ndërsa gjetjet e hibrid.info tregojnë se pasuesi i Mustafës, Ramush Haradinaj, rriti pensionet njëherë me 19 shkurt 2019 (këtu), rriti pagat e mësimdhënësve me 20 janar 2019 (këtu) dhe miratoi Ligjin për Paga më 3 shtator 2018, i cili u votua në Kuvend, më 2 shkurt të 2019 (këtu dhe këtu), e që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese (këtu).

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, më 19 korrik të atij viti, kurse presidenti Thaçi më 26 gusht shpalli vendimin, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më datën 6 tetor (shih këtu).


Qeveria aktuale e Kosovës më 13 prill 2022, miratoi Ligjin për rritjen e pagës minimal (këtu), i cili u votua më 13 korrik të 2022, e më pas u dërgua në Gjykatën Kushtetuese (shih këtu). Ndërsa më 23 nëntor u miratua Ligji i Pagave për Sektorin Publik (këtu), që hyri në fuqi në vitin 2023 (këtu).

Ligji që parashihte që paga minimale të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat, nuk u kontestua as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Qeverisë (shih këtu).

Më 16 gusht, Vjosa Osmani, presidentja e vendit, shpalli 9 shkurtin e vitit 2025, si datë e zgjedhjeve të përgjithshme (shih këtu).

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 gusht njoftoi për rritjen e pagës minimale në 350 euro (këtu) dhe me 7 tetor mori vendimin për rritjen e pensioneve në 20% (këtu).


Përfundimi:

Deklarata e ministrit të MFPT-së, Hekuran Murati, se në qeverisjet e kaluara, pagat janë rritur me vendime në kohë fushate, nuk është e saktë.

Hibrid.info ka gjetur se qeverisjet e kaluara kanë përfunduar mandatin në formë të parakohshme dhe se rritjet e pagave janë realizuar në vitin e fundit të mandatit qeverisës, por jo në kohë fushate zgjedhore.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi kategorinë e vërtetësisë, deklaratën e ministrit Murati, se pagat më herët janë rritur në kohë fushate, hibrid.info e vlerëson si “deklaratë të pavërtetë”.

Arsyetimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »