[email protected]
Pretendimi se në 540 ditë pushtet të Kurtit janë bërë 210 sulme ndaj serbëve, i pabazë
shape
shape
shape

Gazeta serbe “Politika” në ueb-faqen e saj “Politika.rs” ka publikuar një artikull ku pretendohet se, që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet janë regjistruar 50% më shumë incidente ndëretnike.

Artikulli me titullin “Në 540 ditë pushtet, 210 sulme ndaj serbëve”, ky medium serb pretendon se në Kosovë janë rritur sulmet me motive etnike ndaj komunitetit serb.

Sipas gazetës, inkurajimi i ekstremizmit që nga marsi i vitit të kaluar numri i incidenteve me motive etnike në të cilat synohen serbët, pronat e tyre dhe Kisha Ortodokse Serbe, është rritur me 50 për qind.

Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës vlerëson se ky artikull është i pabazë dhe klasifikohet si dezinformatë.


Vegëza e artikullit të publikuar në ueb-faqen e gazetës “Politika.rs”:

https://www.politika.rs/sr/clanak/514559/Za-540-dana-vlasti-210-napada-na-Srbe


Pjesë nga artikulli i publikuar në “Politika.rs” i përkthyer në shqip:

Kërcënimi i hapur i Prishtinës për një sulm të organizuar të armatosur, planet për likuidimin e serbëve me ndikim dhe refuzimi i çfarëdo dialogu, që është bërë karakteristikë kryesore e qeverisë së Albin Kurtit, nuk janë të vetmet rreziqe me të cilat përballet populli serb në Kosovë dhe Metohi. Inkurajimi i ekstremizmit, që nga marsi i vitit të kaluar, kur u formua qeveria aktuale e institucioneve të përkohshme të Kosovës, ka çuar në faktin se numri i incidenteve me motive etnike, në të cilat synohen serbët, pronat e tyre dhe Kisha Ortodokse Serbe, është rritur me 50 për qind.

Vendimi i Kurtit për futjen e të ashtuquajturit e reciprocitetit, përpjekja për heqjen e targave dhe dokumenteve serbe, akuzat e pabaza se Beogradi po përgatitet për luftë, refuzimi i formimit të ZSO-së dhe veprime të tjera radikale, çuan në faktin se në terren, që nga ardhja e tij në pushtet deri në mes të gushtit, në më pak se 540 ditët e pushtetit, numri i incidenteve të motivuara etnikisht i kaloi 210. Njerëzit që mbetën pas vitit 1999 dhe spastrimit të marsit në 2004 ishin në rrezik, si dhe të kthyerit, madje edhe fëmijët, dhe 35 herë më shumë se prona e ortodoksëve serbë. Kisha ka pësuar dëmtime. Nuk u kursyen as varrezat serbe, të cilat po lërohen, po rrënohen gurët e varreve, kurse rrethojat e mbetura prej hekuri po vidhen dhe përfundojnë në mbeturina në mbarë Kosovën.


Pretendimet e gazetës serbe “Politika.rs” se pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit për 50 përqind janë rritur rastet e sulmeve ndaj etnisë serbe dhe se këto përfshijnë të pronat, varrezat, kishat, janë të pabazuara në ndonjë raport apo referencë kredibile. Gazeta jep raste nga, siç i quan, sulme ndaj etnisë serbe në Kosovë por pa e cekur burimin e informacionit për ngjarjet që bëhen fjalë. Mos referimi në burime konkrete bënë që pretendimet e gazetës ta humbin vërtetësinë e tyre. Prandaj pretendimi i bërë nga gazeta se brenda 540 ditë pushtet të Kurtit janë bërë 210 sulme ndaj serbëve është i pabazuar.

Por, përkundër që mediumi në fjalë nuk ka përdorur referenca të shifrave, për ta trajtuar vërtetësinë e këtij pretendim, hibrid.info ka shqyrtuar edhe disa dokumente e deklarata zyrtare e kredibile, që flasin për raportet ndëretnike në Kosovë.

Një prej qasjeve më neutrale në këtë aspekt, të cilin nuk e kundërshtojnë shpesh as pala serbe, është ai i misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Për këtë arsye, hibrd.info e ka konsultuar raportin e këtij misioni gjatë periudhave 16 mars deri më 15 shtator 2021 si dhe atë shtator 2021 deri më mars 2022, pak muaj më pak sesa periudha kohore mandatit aktual i “Qeverisë Kurti II”, për të ballafaquar të dhënat e këtij misioni me pretendimet e mediumit serb “Politika”.


Raporti i UNMIKU-t për periudhën 16 shtator  2021-15 Mars 2022, jep të dhëna për 13 incidente ndëretnike. Në raport thuhet: Gjatë periudhës raportuese, janë raportuar 13 incidente që kanë prekur komunitetin serb dhe vendet fetare ortodokse e kulturore serbe, duke përfshirë dëmtimet e gurëve të varreve në varrezat ortodokse serbe në komunat Prizren, Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Istog, si dhe ndërtimin e paligjshëm në Zonën e posaçme të mbrojtur të Manastirit Shën Uroshi në komunën e Ferizajt. Incidentet e tjera kishin të bënin me vjedhjen e parave në vendet e konfesioneve të ndryshme fetare nëpër Kosovë, duke përfshirë vjedhjet në xhami, në varrezat myslimane dhe në kishat ortodokse serbe, si dhe dëmtimin në kishën katolike të qytetit të Pejës. (shih këtu)


Ndërsa në raportin UNMIKU-t për periudhën 16 mars deri më 15 shtator 2021, deklarohen 15 incidente: “Gjatë kësaj periudhe raportuese gjithashtu janë regjistruar gjithsej 15 incidente ndaj vendeve fetare dhe kulturore serbe, duke përfshirë vjedhjet, dëmtimin e pronës dhe murale të urrejtjes.” (shih këtu)

Pra, sipas dy raporteve që përfshijnë një periudhë prej afro 1 vit e gjysmë, rezulton që numri i incidenteve ndër-etnike arrin në 28, që bie ndeshë më pretendim e bërë nga ky mediumi serb.


Krahas kësaj, Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani në një deklaratë të bërë në fillim të Qershorit ka thënë se që nga koha kur e ka marrë mandatin është në komunikim të vazhdueshëm me institucione të sigurisë duke theksuar se numri i incidenteve ndëretnike në Kosovë ka rënë në 0.03 përqind.  (shih këtu)


Po ashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se ka rënie të rasteve të incidenteve ndëretnike. Kurti në fillim të qershorit të këtij viti deklaroi se: “Republika e Kosovës i ka organet shtetërore, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës është më së miri të na e tregojë këtë gjë. Por, nga raportet të cilat i kam marrë unë, jo vetëm në vitin e kaluar, por edhe këtë vit, nuk e kam një përshtypje të tillë që rastet ndëretnike janë rritur”. (shih këtu)


Analiza:

Gazeta serbe “Politika” në ueb-faqen se saj “Politika.rs” ka publikuar një artikull në të cilin pretendon se, “me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet sulmet ndaje serbëve janë shtuar për 50 përqind”, një pretendim ky i pabazuar në burime relevante. Vërtetësia e informacioneve të publikuara vihet në dyshim si rezultat i mungesës së burimeve. Ndërkohë, të dhënat e gazetës i demantojnë dy raporte të UNMIK-ut që përshijnë vitet 2021-2022 në të cilat ceken vetëm 28 incidente ndaj etnisë serbe. Krahas edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bazuar në të dhënat e organeve të sigurisë në vend deklarojnë se incidentet ndëretnike janë zvogëluar kohëve të fundit.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info vlerëson se pretendimet e hedhura nga gazeta “Politika” janë të pabaza dhe klasifikohen si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others