Dezinformimi vjen në shumë forma. Në Ballkan, shpesh maskohet me petkun e shifrave ‘kokëforte’.
Nga Vanja Stokiç (Bosnjë Hercegovinë), Zoran Strika (Serbi), Teodora Gjurniç (Mali i Zi), Gentiana Paçarizi (Kosovë) dhe Jona Plumbi (Shqipëri)
Vendet e Ballkanit Perëndimor flasin gjuhë shumë të ngjashme, kanë histori dhe kultura që gërshetohen me njëri tjetrin, dhe për pasojë edhe qytetarët e tyre përjetojnë probleme po aq të ngjashme. Pa dyshim që korrupsioni është problemi kryesor nga moria e halleve të përbashkëta. Në vend të dytë renditet manipulimi i opinionit publik nga grupet e interesit politik dhe biznesit, ku metoda e preferuar e manipulimit është shtrembërimi i të vërtetës me ndihmën e shifrave.
Shifra, përqindje ose objektiva për të ardhmen mbi çështje të rëndësishme për qytetarët shpesh lëshohen në publik për të krijuar iluzionin e prosperitetit. Politikanët, me ndihmën e mediave që kontrollojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi, zakonisht i paraqesin publikut vetëm ato copëza informacioni që u shkojnë për shtat, por që nuk tregojnë tabllonë e plotë të situatës. Në disa raste, sajojnë edhe të dhëna dhe statistika të rreme, ngaqë e dinë fare mirë se shumë pak njerëz kanë aftësinë që të verifikojnë saktësinë e atyre deklaratave, dhe akoma më pak njerëz do të mundohen që t’i hyjnë asaj pune. Edhe kur deklaratat e rreme me shifra të sajuara përgënjeshtrohen, shpesh politikanët ia arrijnë qëllimit të tyre falë shpërndarjes së gjerë nga mediat që i përhapin në publik ato informacione qëllimisht ose pa dashje.
Presidenti i shifrave
Parametrat dhe të dhënat ekonomike luajnë një rol vendimtar në përqasjen e qeverisë serbe ndaj formimit të opinionit publik. Shifrat manipulohen për të paraqitur një narrativë optimiste, veçanërisht në lidhje me rritjen e PBB-së, nivelin e punësimit dhe pagat. Së fundmi, platforma e verifikimit të fakteve Istinomer (Matësi i vërtetësisë) zbuloi disa pasaktësi gjatë një deklarate televizive nga presidenti Aleksandar Vuçiç. Ai deklaroi se numri i të punësuarve në Serbia ishte rritur me 550,000 veta që kur kishte marrë postin në vitin 2012, se paga mesatare për vitin 2012 ishte 329 euro, dhe se ishin ndërtuar më shumë autostrada se kurrë më parë. Istinomer tregoi se asnjë nga këto pretendime nuk qëndronte.
Po ashtu, edhe organizata e kontrollit të fakteve, Raskrikavanje, ka ekspozuar vazhdimisht manipulime me të dhëna ekonomike nga autoritetet. Gazetarja Marija Vuçiç ka vënë re se mediat pro-qeveritare shpesh publikojnë raportime tepër pozitive mbi investime dhe projekte të mëdha shtetërore, duke përfshirë planin për hapjen e minierave të litiumit në Rio Tinto, projektin e ndërtimit përgjatë bregut të lumit në Beograd, dhe Expo 2027 – të gjitha plane dhe projekte problematike dhe shumë të diskutueshme.
“Kjo narrativë të krijon idenë sikur standardet e jetesës në Serbi janë më të mira se në realitet,” shpjegon Marija Vuçiç. “Tema të tilla, si varfëria, kushtet e punës dhe marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve trajtohen rrallë në media. Rrallë ngrihen pyetje mbi efikasitetin e subvencioneve shtetërore për investime apo mbi kostot që lidhen me projekte si Expo. Në vend që të analizohen këto aspekte dhe të shërbejnë si mbikëqyrës publikë, mediat pro-qeveritare po luajnë rolin e sektorit të propagandës të qeverisë serbe dhe biznesit të madh.”
Ajo thekson se manipulimi në raportim intensifikohet gjatë fushatave zgjedhore, duke sjellë si shembull një artikull të botuar në vitin 2024 nga Telegrafi Serb ku ngrihej alarmi për kolaps ekonomik nëse opozita vinte në pushtet. Në artikull thureshin lavde për projekte të tilla si ndërtimi i metrosë së Beogradit dhe fabrika e gomave Linglong, duke injoruar plotësisht problemet dhe polemikat rreth këtyre projekteve. Marija Vuçiç thotë se qeveria përdor në mënyrë strategjike narrativat rreth ekonomisë për të forcuar akoma më tej kultin e personalitetit të presidentit.
“Vuçiç përshkruhet si një udhëheqës jashtëzakonisht i aftë dhe vizionar që siguron prosperitet, çka nënkupton se pa të Serbia do të rrënohet,” shpjegon gazetarja. “Ai e përforcon vazhdimisht këtë imazh – mos harroni daljet në publik para dërrasës së zezë në televizionin RTS duke shpjeguar koncepte ekonomike, ose deklaratat televizive të mbushura me statistika të paverifikuara dhe premtime të ekzagjeruara.”
Në vitin 2018, presidenti Vuçiç deklaroi se linja e parë e metrosë do të ishte gati në vitin 2022. Edhe sot e kësaj dite vështirë se gjen dikë që të parashikojë se kur do të hapet realisht linja e metrosë.
Zgjidh çfarë të vjen më për mbarë
Në Kosovë, manipulimi i statistikave vjen nga disa drejtime të ndryshme, që nga deklaratat qeveritare deri tek postimet e rëndomta në mediat sociale. Administrata aktuale e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka përsosur artin e krijimit të narrativës të sukseseve të paprecedentë, duke e bërë përzgjedhjen dhe paraqitjen në mënyrë selektive të të dhënave një tipar dallues të strategjisë së komunikimit. Duke paraqitur parametra të veçantë të çështjeve komplekse si objektiva më vete të përmbushura nga qeveria krijohet iluzioni i një zhvillimi transformues në vend. Kjo metodë pune jo vetëm që keqinterpreton dhe shtrembëron perceptimin e problemeve komplekse, por gjithashtu neglizhon edhe faktorë kritikë si tendencat dhe nivelet historike, ndikimet nga jashtë, dhe interpretimet alternative që luajnë një rol thelbësor në vlerësimin real të qeverisjes.
Punësimi ka qenë një nga temat më të debatuara në Kosovë. Që nga përfundimi i luftës, vendi është përballur vazhdimisht me nivele të larta papunësie, sidomos tek të rinjtë, që përbëjnë një përqindje të lartë të popullsisë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), niveli kombëtar i papunësisë ishte 25.7 për qind në vitin 2021, ra në 12.6 për qind për vitin 2022, dhe u reduktua më tej deri në 10.8 për qind në 2023. Ky reduktim i ndjeshëm vetëm gjatë dy viteve të fundit ka ndezur debate në publik.
Ndërkohë që qeveria i përmend shpesh këto shifra si dëshmi të suksesit në krijimin e vendeve të reja të punës dhe si një arritje kyçe së saj, kritikët – duke përfshirë edhe mediat e pavarura, partitë opozitare dhe ekspertë të pavarur të ekonomisë – kanë hedhur dyshime mbi këtë narrativë. Ata argumentojnë se interpretimi i shifrave vetëm si sukses i iniciativave të qeverisë nuk merr në konsideratë faktorë të tjerë, si emigrimi në masë i kosovarëve në vende të Evropës perëndimore gjatë dekadës së fundit (rreth 42,000 qytetarë u larguan nga vendi gjatë vitit 2021), dhe deklarimi në shtet i vendeve të punës në të zezë falë disa iniciativave të qeverisë (veçanërisht pas COVID-19). Po kështu, niveli i lartë i pasivitetit të qytetarëve në moshë pune ka vazhduar kryesisht i pandryshuar, duke mbetur mbi 40 për qind për meshkujt dhe mbi 75 për qind për femrat gjatë katër viteve të fundit.
Qeveria e Kosovës pretendon gjithashtu se ritmet e rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit as që krahasohen me shifrat gjatë dy dekadave të fundit. Pas rënies ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, kur ekonomia ra me -5.3 për qind gjatë vitit 2020, ekonomia e Kosovës u rimëkëmb fuqishëm, duke shënuar një rritje prej 10.7 për qind për vitin 2021 pas rihapjen së vendit. Kjo rimëkëmbje është përmendur shpesh nga qeveria si dëshmi e politikave të saj të suksesshme.
Siqoqoftë, rritja ekonomikeu ngadalësua në nivele më të moderuara gjatë viteve që pasuan, me nivele rritje prej 4.3 për qind në 2022, dhe 3.3 për qind në 2023. Ndonëse të dhënat përfundimtare për vitin 2024 nuk janë akoma të disponueshme, shifrat paraprake nga Banka Qendrore e Kosovës sugjerojnë një rritje prej rreth 4.9 për qind gjatë dy tremujorëve të parë. Pavarësisht këtyre shifrave, analizat e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se kjo ecuri ekonomike nuk paraqet ndonjë ndryshim të madh nga nivelet historike dhe shifrat ndër vite.
Edison Jakurti, një ekonomist që demaskon dhe përgënjeshtron shpesh pretendimet e qeverisë mbi rritjen ekonomike, argumenton se përveç rënies ekonomike gjatë vitit 2020, pandemia ka ndryshuar rrënjësisht trajektoren e rritjes ekonomike të Kosovës pas rihapjes. Ai thotë se kjo bëhet më e qartë po të krahasohet produkti i brendshëm bruto aktual me nivelin që do të kishte arritur po të kishin vazhduar tendencat e rritjes nga dekada e mëparshme para COVID-19.
Sipas analizës së Jakurtit të të dhënave të Bankës Botërore, deri në vitin 2023 – më shumë se tre vjet pasi u hoqën shumë nga kufizimet e vendosura nga mesi i vitit 2020 – ekonomia e Kosovës po zhvillohej me ritme më të ngadalshme se periudha para pandemisë.
”Me fjalë të tjera, deri në vitin 2023, Kosova nuk kishte rikuperuar akoma plotësisht nga pandemia,” shpjegon Jakurti në një postim në profilin e tij në Facebook. “Që nga viti 2020 e në vazhdim, hendeku midis PBB së realizuar dhe PBB së parashikuar në bazë të tendencave para pandemisë tejkalon -2 miliardë dollarë në terma realë, ku 1.3 miliardë dollarë nga ky deficit u regjistrua gjatë periudhës pas pandemisë nga viti 2021 deri në vitin 2023,” shkruan Jakurti në profilin e tij në Facebook.
Krijo sa më shumë konfuzion, ose sajo shifra sipas qejfit
Në Shqipëri, ashtu si dhe në shumë vende të tjera, shifrat shpesh ekzagjerohen ose përdoren në mënyrë selektive për t’i shërbyer qëllimeve politike. Qeveritë shpesh i fryjnë shifrat për të paraqitur një tabllo sa më të favorshme të arritjeve të tyre dhe për të diskredituar punën dhe arritjet e opozitës – dhe, natyrisht, nga ana tjetër edhe opozita bën të njëjtën gjë.
Një metodë që përdoret zakonisht për manipulimin e shifrave është mbingarkimi i publikut me llogaritje të shumta dhe komplekse. Një shembull i tillë në Shqipëri është raportimi i borxhit publik. Që kur qeveria socialiste erdhi në pushtet 11 vjet më parë, është mbështetur shumë tek partneriteti publik-privat (PPP) për thuajse të gjitha investimet kryesore në vend. Këto kontrata zakonisht e detyrojnë qeverinë që të shlyejë kompanitë private në një hark kohor prej rreth 10 vitesh.
Kur raportohet mbi shifrat vjetore të borxhit publik, qeveria socialiste qëllimisht nuk llogarit detyrimet e shtetit sipas kontratave PPP, duke pretenduar se borxhi publik arrin vetëm në 60 për qind të PBB-së. Sidoqoftë, organizata ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ose agjenci të vlerësimit të kredisë, si Standard & Poor’s, llogaritin se borxhi publik i Shqipërisë në fakt kalon nivelin 80 për qind, duke ekspozuar kështu një mospërputhje në raportimin e qeverisë mbi një nga parametrat kryesore ekonomike.
Në Bosnjë, organizata për verifikimin e fakteve Istinomjer mori në shqyrtim një pretendim të kryetarit të komunës Ilidza, në rrHethin e Sarajevës, se gjatë mandatit të tij nga 2022 deri në 2024 numri i pajisjeve fiskale u rrit me 17,000 njësi. Ky pretendim duket i pabesueshëm në një komunë me popullsi prej 66,000 banorësh, sipas regjistrimit të popullsisë 11 vjet më parë. Duke verifikuar të dhënat në administratën tatimore, Istinomjer mësoi se numri i pajisjeve fiskale në Ilidzë është rritur vërtet, por vetëm me 1,422 njësi.
“Shifrat manipulohen pak a shumë nga të gjithë, por kjo ndodh më shpesh nga politikanët dhe mediat që mbështesin ide të caktuara politike. Ka shumë shembuj të tillë, që nga manipulimi me nivelet e pagave dhe pensioneve, shifrat e punësimit, çmimin e energjisë, numrin e banorëve, numri e votave të fituara… e deri te përdorimi selektiv i të dhënave statistikore,” thotë Dalio Sijah, kryeredaktori i Istinomjer.
Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, është munduar shumë që të krijojë në publik imazhin e “çunit që mbjell pemë.” Gjatë vitit të parë si kryetar i bashkisë së Tiranës, Veliaj deklaroi se do të mbillte një “pyll orbital”, një brez prej dy milionë pemësh. Ai madje njoftoi se kishte gjetur mbështetje financiare për projektin e tij dhe doli në lajme duke nënshkruar një marrëveshje me kreun e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (IADC), Nino Merola.
Që nga ai moment, ai është munduar që të shfaqet sa më shpesh në publik duke mbjellë pemë së bashku me banorë të tjerë të Tiranës, duke përfshirë edhe fëmijë. Në vitin 2022 ai pretendoi se kishte mbjellë një milion pemë në Tiranë. Në fakt, një raport i Bankës Botërore në vitin 2024 tregoi se hapësira e gjelbër në Tiranë ishte reduktuar.
Si për ironi, Veliaj njihet në përgjithsëi për dhënien e lejeve të ndërtimit në thuajse çdo hapësirë të lirë në kryeqytet. Gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar 7.5 milionë metra katrorë ndërtesa të reja. Për të justifikuar këto leje, Veliaj ka paraqitur statistika të rreme, duke pretenduar se Tirana shtohet me rreth 25,000 banorë të rinj në vit. Sidoqoftë, Faktoje e verifikoi këtë pretendim dhe zbuloi se niveli më i lartë i shtimit të numrit të banorëve në kryeqytet gjatë nëntë viteve të fundit ishte 13,000 persona gjatë një viti.
Artikulli u publikua fillimisht në seenpm.org