info@hibrid.info
Artikujt “clickbait” gjatë vitit 2023
shape
shape
shape

Përgatiti: Elonë Selmani

Në vitin 2023, mediat online në Kosovë u përcollën nga një valë e artikujve të cilësuar si “clickbait”, duke shpalosur edhe njëherë sfidën serioze tek çrregullimi informativ.

Çka janë artikujt “Clickbait”?

Hibrid.info në metodologjinë e punës e ka të përkufizuar qartë se si vlerësohen artikujt clickbait.

”Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. 

Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë.

Analizat e përmbajtjeve të tilla “clickbait” gjenden edhe në raportet mujore që janë përgatitur nga hibrid.info, që nga muaji janar për vitin 2023.

Pozitën e rëndësishme që kanë këto lloj përmbajtjesh në mediat online, e tregon edhe raporti gjashtë mujor ku prej muajit janar deri në muajin qershor, kjo kategori kishte dominuar kategoritë e tjera, dhe artikujt clickbait për këtë periudhë ishin me 25% duke u radhitur të parat si pjesë e çrregullimit informativ. Tematikat kryesore që u publikuan si clickbait ishin ato nga fusha sociale dhe kronikë e zezë. (shih këtu)

Ndonëse gjatë muajit qershor vërehej një zbehje e artikujve “clickbait”, ku u renditën të katërtit për nga përqindja si arsyeje e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, çka ndikoi në rritjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave , në korrik këta lloj artikujsh rikthehen përsëri në skenë, për të dominuar kategoritë tjera keqinformuese me 29%. (shih këtu)

Muaji korrik hapi dyert që “clickbait” të rritet edhe më tepër në muajin gusht, ku 33% e artikujve të analizuar në mediat online në gjuhën shqipe morën vlerësimin si artikuj “clickbait”. (shih këtu)

Ngjashëm ndodhi edhe në muajin shtator, ku vlerësimi “clickbait” mbajti primatin në kategorinë e vlerësimeve me më së shumti artikuj, gjithsej 31%. (shih këtu)

E muaji tetor, ishte muaji i “përmbajtjeve të paverifikuara” duke ndikuar kështu në zbehjen e artikujve “clickbait’, ku ky vlerësim u radhit i katërti me një ulje të dukshme në 17%, duke sjellë një moment ndërprerës në trendin e rritjes. (shih këtu)

Në muajin tetor u rëndit i katërti, për tu rikthyer fuqishëm në vendin e parë në muajin pasues (nëntor), ku vlerësimin “clickbait” e morën 32% e artikujve të analizuar nga ekipi i hibrid.info. (shih këtu)

Sikurse në periudhën e parë gjashtë mujore ku tematikat që kryesonin ishin nga fusha sociale dhe e kronikës së zezë, edhe në periudhën korrik – nëntor, pjesa dërmuese e artikujve me vlerësim “clickbait” ishin nga po të njëjtat tematika; sociale dhe kronikë e zezë. Artikuj këta për raste tragjike si vdekje e vrasje, por që nuk bëhej e ditur se në cilin vend kishte ndodhur ngjarja, duke aluduar kështu se ka ndodhur në Kosovë, apo vende tjera shqipfolëse.

Duke spikatur kështu tema që nxisin kureshtjen dhe interesin e audiencës për ti lexuar, këto media kanë krijuar përmbajtje “clickbait” për të gjeneruar numër më të madh lexuesish në faqet e tyre, ku edhe përqindjet e nxjerra tregojnë se kjo është një mënyrë më e shpejtë për të rritur lexueshmërinë e një mediumi.

Share With Others

Translate »