Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një artikull me titull “MARREVESHJA E HESHTUR/ Vuçiç mbështet Kurtin me kartat e pushtetit”.
I shoqëruar nga një fotografi që paraqet kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, afër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikimi u bë nga mediumi në gjuhën shqipe “ntv.al” më 26 dhjetor.

Çka nuk shkon me titullin?
Pasi të lexohet përmbajtja kuptohet se bëhet fjalë për një opinion të Baton Haxhiut e që në titull nuk paraqitet si diçka e tillë, por si fakt i kryer.
Hibrid.info ka verifikuar përmbajtjen dhe duke përdorur fjali të cituara nga shkrimi i Haxhiut, ka gjetur se bëhet fjalë për një opinion të publikuar fillimisht në portalin informativ “albanianpost.com” me datë 24 dhjetor. Ky opinion në “albanianpost.com” mban titullin “Krizat e Përsëritura dhe Bashkëjetesa Nacionaliste e Albinit dhe Alexit”. Qysh në vegëz tregohet se bëhet fjalë për opinion.
Artikulli në “ntv.al” po ashtu shoqërohet me një fotografi të publikuar para dy vjetësh, pas takimit që dy udhëheqësit e shteteve kishin pasur në Berlin.
Analiza:
Titulli “MARREVESHJA E HESHTUR/ Vuçiç mbështet Kurtin me kartat e pushtetit”, i publikuar nga “ntv.al” lë të kuptohet se bëhet fjalë për diçka të kryer. Por në përmbajtje sqarohet se bëhet fjalë për një opinion të Baton Haxhiut.
Për më shumë, pos titullit që s’tregon se bëhet fjalë për opinion, mediumi e ka shoqëruar artikullin me një fotografi të para dy vjetëve, e që i paraqet afër Kurtin dhe Vuçiqin.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.