[email protected]
Daçiq nuk ka thënë se përveç policit të vrarë, janë edhe 5 apo 6 viktima tjera
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U pretendua se ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pas vrasjes së policit serb nga i dyshuari kosovar Faton Hajrizi, të ketë thënë se “nuk është vetëm një polic i vrarë janë edhe 5 apo 6 viktima tjera”.

Ky pretendim u gjet i publikuar (20 korrik) në llogarinë me përmbajtje në gjuhën shqipe në TikTok që mban emrin “drenica911”.

Çka gjeti hibrid.info?

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se një deklaratë e tillë nuk është dhënë nga Daçiq.


Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “drenica911”:

https://archive.ph/7hjAA


Faton Hajrizi dyshohet se vrau një dhe plagosi një polic tjetër në Lloznicë në Serbinë perëndimore më 18 korrik. Një ditë më pas, autoritetet në Serbi thanë se e kanë vrarë të dyshuarin, që ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri dy javë më parë. (shih këtu)

Çka kishte thënë Daçiq pas vrasjes së policit serb?

“Ky s’mund të jetë një aksident. Ky është një akt i qartë terrorist që vjen nga Kosova, nga strukturat shqiptare. Prokuroria për krim të organizuar do ta trajtojë rastin si akt terrorist sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë. (shih këtu)


Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalinë “nuk është vetëm një polic i vrarë janë edhe 5 apo 6 viktima tjera”, por nuk është gjetur asnjë artikull i publikuar me këtë pretendim. (shih këtu)

Gjithashtu, me të njëjtën fjali, por në gjuhën serbe, kërkimet nuk shfaqin asnjë informacion të publikuar me këtë pretendim. (shih këtu)


Në postimin e publikuar në TikTok nga llogaria “drenica911” gjendet një logo me emrin “Universal”. Hibrid.info ka arritur të gjejë këtë faqe në Facebook, në të cilën nuk gjendet e postuar kjo përmbajtje. Pra, siç duket ajo është fshirë. (shih këtu)

Megjithatë, kjo përmbajtje u gjet e postuar në një llogari në Facebook që mban emrin “Luan Gacaferri”, e cila deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, është shpërndarë 36 herë dhe ka marrë mbi 200 reagime. (shih këtu)


Arsyeja e trajtimit të kësaj përmbajtje të publikuar në TikTok u bë pasi e njëjta deri në shkrimin e këtij artikulli, ka arritur të grumbullojë mbi 300 mijë shikime dhe ka marrë 326 komente. (shih këtu)


Analiza:

Përmes një postimi të bërë më 20 korrik në TikTok, u pretendua se Daçiq të jetë shprehur se “nuk është vetëm një polic i vrarë janë edhe 5 apo 6 viktima tjera”.

Ky postim u bë duke u ndërlidhur me ngjarjen e 18 korrikut, kur kosovari Faton Hajrizi, dyshohet se në Serbi vrau një zyrtar policor e një tjetër e plagosi.

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë përmbajtje të publikuar online, që Daçiq të ketë dhënë një deklaratë të tillë pas kësaj ngjarje.

Bazuar në metodologjinë, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e publikuar në TikTok nga llogaria “drenica911” si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »