[email protected]
Deklarata nuk është dhënë për FSK-në, por për NATO-n
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka aluduar se “ushtria e Kosovës do të forcohet deri në shtator me 10 mijë trupa e me sisteme anti-raketore”.

Pretendimi është publikuar në TikTok nga llogaria “der_albaner_mit_vollbart” më 22 prill. “Forcohet e ushtria e Kosovës eksperti: 10 mijë trupa deri në Shtator dhe sistem raketor” është mbishkrimi që kjo llogari i ka vënë bisedës që Shala ka pasur në mediumin  “A2CNN” (shih këtu).

Por çka nuk shkon me këtë material?

Pas verifikimit të materialit nga hibrid.info, del se Shala nuk ka folur për forcim të Ushtrisë së Kosovës, por për shtim të trupave të NATO-s e vendosje të sistemeve anti-raketore nga NATO-ja.


Vegëza e postimit të “der_albaner_mit_vollbart” më 22 prill:

https://perma.cc/K98H-EBDQ

Kjo video deri tash ka marrë më shumë se 31 mijë shikime e 480 pëlqime.


Çka ka deklaruar Shala?

Në deklaratën e tij, Shala ka thënë se shtetet partnere të Kosovës do të dërgojnë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it e se NATO-ja do të vendosë sistemin anti-raketor “Patriot”, dhe jo se Ushtria e Kosovës do të forcohet me trupa apo me këtë sistem raketor. Deklaratën Shala e pati dhënë kur Serbia kryente ushtrime ushtarake afër kufirit me Kosovën.

Pjesë nga deklarata e tij:

“… duhet të vihet në theks edhe çështja që në kuadër të KFOR-it ka disa shtete që hezitojnë ende për ta mbështetur misionin sipas 1244-shit, pra hezitojnë të dërgojnë trupat e tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Pra, po u bie barrë shteteve të cilat janë partnere strategjike të Republikës së Kosovës që këtë gjë ta bëjnë, dhe në terren, në Kosovë të kemi, deri në muajin shtator, afër 10 mijë trupa, që do të jenë të mjaftuara për të përçuar mesazhin politik-ushtarak, por njëkohësisht do të kemi edhe sistemin e ri anti-raketor të cilin NATO-ja do ta vendosë në Republikën e Kosovës, pra sistemin ‘Patriot’, i cili është sistem i cili bën ruajtjen e hapësirës ajrore. NATO-ja do t’i referohet vendosjes së këtij sistemi në Kosovë me pretekstin e ruajtjes së hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s që kufizohen me Republikën e Kosovës”. (shih këtu)


Analiza:

Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar rrejshëm se njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka aluduar se “Ushtria e Kosovës do të forcohet me 10 mijë trupa e sisteme anti-raketore”.

Pas verifikimit, del se Shala e ka pasur fjalën për shtim të trupave të KFOR-it dhe vendosje të armatimit nga NATO-ja.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »
1406