info@hibrid.info
Dezinformohet në mediat serbe se Kurti dhe shërbimi inteligjent qëndrojnë prapa “kërcënimeve” ndaj ambasadave serbe
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Në mediat serbe është publikuar pretendimi (22 gusht) sot se prapa kërcënimit ndaj ambasadave serbe në Evropë qëndron Albin Kurti dhe shërbimi i tij.

Artikulli ndërlidhet me pretendimet se Denis Krasniqi ka kërcënuar ambasadat serbe në disa shtete evropiane, duke u pretenduar se prapa tij qëndron shërbimi inteligjent i Kosovës (SHIK), të cilin e kanë cilësuar si besnik i Albin Kurtit dhe e afërt me ish-krerët e UÇK-së.

Por ky medium serb nuk ofron ndonjë fakt konkret që e argumenton lidhjen ndërmjet SHIK-ut (edhe pse ky organizim nuk ekziston nga viti 2008) dhe Denis Krasniqit.

Vegëza e artikullit të artikullit të publikuar në “Alo.rs”:

https://www.alo.rs/vesti/politika/945840/kurtijeva-sluzba-stoji-iza-pretnji/vest

Pjesë të artikullit të publikuar në “Alo.rs” të përkthyer në shqip:

Pas kërcënimeve ndaj ambasadave dhe konsullatave serbe në Vjenë, Bernë dhe Mynih, si dhe ndaj një numri të madh të institucioneve dhe zyrtarëve në Serbi dhe Republika Srpska, qëndron shërbimi sekret inteligjent SHIK, i cili është besnik i Albin Kurtit, kryeministrit të shtëtit të rremë të Kosovës dhe ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Siç mëson Alo.rs, Denis Krasniqi, i cili u identifikua si dërguesi i drejtpërdrejtë i mesazheve kërcënuese, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë e Metohi, ku jetojnë prindërit e tij, ndërsa ai ka vendbanimin në Zvicër, është udhëzuar nga oficerët e inteligjencës së SHIK-ut që të bëjë atë që ka bërë.

Ky artikull ka zënë vend edhe në ballinën e gazetës së ditës së 22 gushtit, me titull: “Prapa terroristit qëndron Kurti dhe shërbimi i tij”.

Çka dihet për ngjarjen?

Ministrat serbë, Ivica Daçiq dhe Marko Gjuriq, kanë deklaruar se personi i përmendur ka kërcënuar ambasadat serbe në dy shtete evropiane.

Sipas ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, mesazhet kërcënuese të marra nga ambasadat serbe në Austri dhe Gjermani, si dhe Aeroporti i Beogradit, janë dërguar nga Denis Krasniqi, një 26-vjeçar nga Zvicra me prindër nga Kosova. (këtu)

Në lidhje me mesazhet kërcënuese të marra me email nga Aeroporti i Beogradit, ambasadat dhe konsullatat tona në Austri dhe Gjermani, si dhe Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë informacion zyrtar nga Gjermania dhe Zvicra se personi në fjalë është Denis Krasniqi (26), nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova. Personi aktualisht ndodhet në Kosovë dhe është lëshuar urdhër që menjëherë pas kthimit në Zvicër të paraqitet në polici”.

Ndërsa, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, tha se të paktën një autor i kërcënimeve është identifikuar dhe e përshkroi këtë si një skenar të njohur që daton nga vitet 80 dhe 90. Sipas tij, ata zgjedhin individë me probleme mendore dhe i përdorin për të shmangur përgjegjësinë ligjore, ndërsa grupet e organizuara me motivim politik qëndrojnë në sfond. (këtu)

“Të paktën një autor i këtyre kërcënimeve është identifikuar. Thjesht e dini se si e bëjnë këtë, është një skenar që është parë tashmë në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. Ata zgjedhin një person që, për shembull, ka një histori me probleme mendore. pastaj e shtyjnë që ai person të shmangë përgjegjësinë ligjore dhe dorën e ligjit, dhe grupet e organizuara që veprojnë me motivim politik shpesh fshihen në sfond”.

Këto pretendime u raportuan në media me tituj dezinformues si “Ambasadat serbe në Austri dhe Gjermani në shënjestër: Regjimi i Kurtit filloi të aplikoi gjithnjë e më shumë masa ekstreme në trajtimin e Beogradit”, (këtu) “Terroristi i Kurtit: Do të hedhim një bombë brenda 24 orësh” (këtu), dhe “Ambasadat serbe në shënjestër të shqiptarëve”, duke zënë hapësirë në ballinave të gazetave të ditës së 21 gushtit.

Pretendimet e bëra se Denis Krasniqi ka kërcënuar disa ambasada serbe në Evropë është i paverifikuar. Ndërsa, përfshirja e kryeministrit Kurti dhe SHIK-ut në këtë pretendim nuk argumentohet me fakte apo burime.

Familjarët e Denis Krasniqit, për media kanë treguar se familjari i tyre është person me aftësi të kufizuara dhe shkallën e invaliditetit të lëshuar nga shteti i Zvicrës e ka 90%. Sipas tyre, Denisi nuk flet dhe e posedon shkallë të lartë të sëmundjes së autizmit. (këtu)

Kjo është propagandë e poshtër. Edhe shteti armik serb e din për kë bëhet fjalë. Denisi është person me nevoja të veçanta, probleme që i ka që nga lindja. Shteti i Zvicrës e din këtë gjë. 90% është shkalla e invaliditetit të tij. Serbia e din që nuk ka asnjë rrezik nga familjari ynë – ky madje as nuk flet. Për këtë edhe Zvicra as që e ka marrur në pyetje për pretendimet e Serbisë. Është e ultë, është marre të bëhen propaganda të tilla. Mirëpo, jemi mësuar tashmë që gjëra të tilla dhe shumë më të rënda të bëhen nga shteti i Serbisë”.


Analiza:

Mediat serbe kanë publikuar pretendimin se Albin Kurti dhe shërbimi i tij janë pas kërcënimeve ndaj ambasadave serbe në Evropë.

Artikulli lidhet me pretendimet se Denis Krasniqi ka kërcënuar ambasadat serbe në disa shtete evropiane dhe se këto veprime janë të lidhura me shërbimin inteligjent të Kosovës (SHIK), i cilësuar si besnik i Kurtit.

Megjithatë, këto pretendime janë të pabazuara dhe nuk mbështeten me fakte apo burime të verifikueshme.

Familjarët e Denis Krasniqit kanë deklaruar se ai ka nevoja të veçanta dhe ka një shkallë invaliditeti prej 90% të lëshuar nga Zvicra. Ata pohojnë se Denisi nuk flet dhe ka një formë të rëndë të autizmit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e konsideron si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »