Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një artikull, në titullin e të cilit pretendohet se futbollisti nga Kosova, Albion Rrahmani, është transferuar në një nga ekipet e ligës më elitare të Italisë, Serie A.
Artikulli i një portali informativ, “futbolli.al” është publikuar (2 maj), nga një faqe në Facebook, me emrin “Serie A Shqip”.
Hibrid.info ka gjetur se nuk ka konfirmim zyrtar për transferimin e Rrahmanit në një nga ekipet italiane dhe se i njëjti vazhdon të jetë pjesë e Rapidit të Bukureshtit.
Vegëza e artikullit të publikuar në Facebook nga faqja “Serie A Shqip”:
https://www.facebook.com/100064687329613/posts/836436865189217/?rdid=8GU0NJIJaNH7DogS

Deri në momentin e trajtimit, publikimi në Facebook ka marrë 760 pëlqime dhe në bazë të disa nga komentet, kuptohet se pretendimi mund të merret si i mirëqenë nga lexuesit e këtij lajmi.
Shih fotografinë:

Por, pas verifikimit të artikullit, është gjetur se brenda përmbajtjes informohet për interesim të mundshëm të skuadrës së Napolit, pas sezonit të konsideruar të suksesshëm, të ish-futbollistit të Ballkanit.
Përmbajtja e artikullit:
“Albion Rrahmani është duke shkëlqyer në fanellën e Rapidit të Bukureshtit. Ylli shqiptar i Kosovës ka realizuar 19 gola dhe i ka bërë 4 asistime në të gjitha garat deri tash në këtë edicion me ekipin rumun. E kjo ka bërë që 23-vjeçari të bëhet objektiv i klubeve të mëdha evropiane.
Menaxheri i futbollistëve, Serxhio Mezi, opinionist në “1 Station Radio” zbulon se interesim për ish-futbollistin e Ballkanit ka shfaqur Napoli.
Me këtë ecuri fantastike, gjasat janë të mëdha që në merkaton e verës Rrahmani të bëjë hapin e madh në karrierë.”
Po ashtu, hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqen e skuadrës rumune dhe ka gjetur profilin e Rrahmanit tek lojtarët që luajnë për Rapidin e Bukureshtit, çka dëshmon se zyrtarisht futbollisti nga Kosova, vazhdon të vijojë të luajë për këtë klub (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se futbollisti Albion Rrahmani është transferuar në Serie A, është i pasaktë.
Hibrid.info ka gjetur se nuk ka zyrtarizim të ndonjë marrëveshjeje dhe se futbollisti vazhdon të luajë në Rumuni, tek Rapidi i Bukureshtit.
Bazuar ne metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.