Shkroi: Fatbardh Dema
U pretendua se djegia e disa automjeteve mbrëmë në Mitrovicë të Veriut është rezultat i trukeve të Policisë së Kosovës. (shih këtu kuptimin e fjalës “truk”)
Kjo përmbajtje u publikua në median sociale Telegram nga kanali në gjuhën serbe “КОРИДОР” (Koridor).
Çka dihet deri tani në lidhje me këtë ngjarje?
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin Verior, Veton Elshani, ka sqaruar se zjarri ka të ngjarë të ketë qenë i qëllimshëm, nuk ka të dyshuar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.
Vegëza e postimit në Telegram nga llogaria “КОРИДОР”:

Pjesë nga përmbajtje e publikuar në Telegram nga llogaria “КОРИДОР”:
Truket e të ashtuquajturës Policisë së Kosovës, që synojnë kriminalizimin dhe persekutimin e mëtejshëm të serbëve, krijimin e problemeve të mëdha, nuk janë të padëmshme dhe të parrëzikshme siç mendojnë disa.
Elshani për Radio Evropa e Lirë ka sqaruar se zjarri ka të ngjarë të ketë qenë i qëllimshëm dhe se hetimet janë duke u zhvilluar. (shih këtu)
Po ashtu, Elshani është deklaruar edhe për mediumin në gjuhën serbe “Kosovo-Online.com”. (shih këtu)
“Kur e kanë vërejtur zjarrin, policia menjëherë ka thirrur zjarrfikësin. Dyshojmë se zjarri ka qenë zjarrvënie, hetimet e mëtutjeshme do t’i përcaktojnë faktet”, tha Elshani për Kosovo-Online.com.
Kontekst
Në orët e para të së martës (9 korrik) në Mitrovicë të Veriut u raportua për djegien e dy kamionëve, ndërsa zjarri prej tyre ka dëmtuar edhe një veturë udhëtarësh.
Analiza:
Një llogari në Telegram në gjuhën serbe ka pretenduar se djegia e dy kamionëve dhe një veture udhëtarësh në Mitrovicë të Veriut, është si rezultat i trukeve të Policisë së Kosovës.
Kjo llogari, për këtë pretendim nuk ofron asnjë fakt që do ta mbështeste atë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin Verior, Veton Elshani, ka thënë se zjarri duket të ketë qenë i qëllimshëm dhe se ende nuk dihen kryesit e kësaj vepre.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.